@ the movies Art & Kulturë Film & Tv

“Shoku Zylo” nga libër në film! Detajet ekskluzive që zbulon regjisori Fatmir Koçi…

“At the Movies” solli sot në Top Albania Radio, lajmin se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, vepra e të madhit Dritëro Agolli, do të vijë së shpejti në një film.

Më tepër detaje na zbuloi regjisori i filmit, Fatmir Koçi, duke pohuar se kjo ide atij i kishte lindur shumë kohë më parë. “Shoku Zylo” vjen ashtu sikurse Dritëroi e solli në romanin satiro-komik, pa i ndryshuar asgjë, veçse duke i shtuar disa elementë filmikë të nevojshëm, të pëlqyer edhe nga e bija e Agollit.

Koçi zbuloi disa nga aktorët kryesorë, ku vihet re një ndërthurje e emrave të rinj dhe atyre të njohur të ekranit/teatrit, si:  Alex Seitaj, Donald Shehu, Xhoana Karaj, apo Amos Muji Zaharia, Kastriot Çaushi dhe Petrit Malaj. Xhirimet sapo kanë përfunduar, një punë 31 ditore, jo dhe aq e lehtë për t’u realizuar duke marrë parasysh situatën e pandemisë në vend.

Regjisori u shpreh entuziast që punët kanë shkuar shumë mirë deri më tani, xhirimet përfunduan më shpejt se ç’ishte parashikuar. Filmi tani është në fazën e post-produksionit, e ndërsa ai dha si një kohë të përafërt të shfaqjes, muajin shtator të këtij viti.

Ashtu sikurse vepra e Agollit është përkthyer në disa gjuhë të botës, edhe filmi do të synojë tregun ndërkombëtar, pasi Shoku Zylo nuk është vetëm një fenomen shqiptar, edhe të huajt kanë Zylon e tyre. Le të presim edhe pak për të parë kryeveprën e pavdekshme në ekranin e madh të kinemasë.