@ the movies Film & Tv

“Sofia”, i pari film që flet shqip në sheshxhirimet e kryeqytetit serb, regjisori Grishaj zbulon detajet!

Artdashësit e kinemasë të bëhen gati për një film shqiptar krejt ndryshe, i cili vjen së shpejti. Këtë na e zbuluan Edi dhe Arta në programin e së premtes “At the Movies”, teksa folën për filmin më të ri të regjisorit Eduart Grishaj. Filmi “Sofia” sapo ka përfunduar xhirimet dhe vjen nën interpretimin e të madhes Tinka Kurti, si dhe të aktorëve Adem Karaga, Rita Gjeka, Çun Lajçi e Alfred Trebicka.

Ngjarje që vendosen sa nga e kaluara në të tashmen, që nga Lufta e Dytë Botërore, teksa një grua shqiptare në moshë nga veriu i Shqipërisë mirëpret në shtëpi një të plagosur, ushtar jugosllav, që po kthehej nga luftimet, i cili qëllon të jetë edhe vrasësi i birit të saj; e deri tek vizita që mbesa e komandantit të plagosur, bën në Shqipëri vite më vonë. Regjisori Grishaj është shprehur se filmi vjen i bazuar ne nje histori te vërtetë dhe është frymëzuar nga At Zef Pllumi. Një ekip realizues që bëri bashkë shqiptarë, kosovarë, maqedonas e serb.

Kjo është fuqia e artit, – kështu u shpreh regjisori në studion e Top Albania Radio, teksa zbuloi edhe më shumë detaje nga momentet realizuese të filmit.

Nuk ka qenë aspak e thjeshtë për ekipin të xhironin skena në një terren krejt të vështirë malor në Veriun e Shqipërisë. Duke filluar që nga përzgjedhja e një shtëpie autentike për t’ia përshtatur kohës ku vendosen ngjarjet, apo edhe transporti i pajisjeve dhe i stafit. Një pjesë e mirë e xhirimeve janë realizuar edhe në Serbi, ku për herë të parë një film flet shqip në mes të Beogradit.

Grishaj tha se nuk ishte aspak e lehtë që të xhirohej në Beograd, duke theksuar se nuk munguan “incidentet” që me shkeljen në tokën serbe, por në përgjithësi xhirimet shkuan mjaft mirë. Ajo që bie në sy është se pjesë e filmit janë edhe vajza të reja serbe që studiojnë Gjuhë-Shqipe. Ndërkaq aktorja e re shumë e suksesshme Rozafa Çela, një vajzë kosovare familja e të cilës ka vuajur pasojat e luftës Kosovë-Serbi, luan rolin e një vajze serbe në film.

Një film i bukur nuk duhet të mbarojë me të dalë titrat përmbyllëse në ekran, apo me të dalë nga sallat e kinemasë. Një film si “Sofia” duhet mbajtur mend edhe për të gjitha të bukurat dhe sfidat e “pas kamerave”, të cilat regjisori Grishaj na e zbuloi në program që do të vijnë të përmbledhura në një dokumentar. “Sofia” është në post-produksion dhe vjen shumë shpejt. Mbajeni shënim në kalendar: festat e Nëntorit të këtij viti do t’i festoni edhe në sallat e kinemasë, duke parë një film si “Sofia” që nuk duhet humbur.