Aktualitet Politikë

Taulant Balla: Jo pazar politik për reformën territoriale!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se për reformën territoriale ka gjithnjë vend për negociata, por nuk mund të bëhet pazar politik. Në një prononcim për media nga Kryesia e Kuvendit, Balla theksoi:

Sot organizimi i qeverisjes vendore shënon një transformim epokal krahasuar me bashkitë që kishim deri në 2015. Do të bëjmë edhe një takim përfundimtar me Alibeajn e Çupin për të dialoguar dhe për t’u dëgjuar, por unë e kam thënë që opinioni im është ky. Ditët në vijim le ta përmbyllim. Në fund është detyrë e Komisionit të Posaçëm që të dalë me një qëndrim përfundimtar.

Demokratët dolën me dy variante sa i përket ndryshimeve për Reformën Territoriale, ndërsa Sali Berisha i bëri thirrje grupimit pranë Enkelejd Albeajt, të bëhen bashkë e të dalin me një propozim. Grupi pranë Alibeajt e dërgoi në Kuvend draftin për ta ndarë vendin me 94 bashki. Dhurata Çupi, bashkëkryetare e Komisionit për Reformën Territoriale, u shpreh se “ky projektligj mbron interesat e qytetarëve shqiptarë”. Çupi iu bëri thirrje të gjithë deputetëve që ta miratojnë.

Mendojmë se ky projekt përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë. Janë të interesuar për të pasur qasjen e bashkive sa më pranë dhe mendojmë se ky projektligj mbron interesat e qytetarëve shqiptarë, pasi janë të interesuar të kenë pranë shërbimet publike. Uroj që deputetët e PS-së të miratojnë një reformë për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën publike!

Duke u ndalur te opozita, Balla theksoi se “PD ende nuk ka sqaruar lobimin rus”.

Të gjithë shqiptarët e kanë mbështetur fjalën e kryeministrit në KiE, që është një moment historik. Pastron baltën e hedhur të shqiptarëve kudo ku janë, sepse është thënë që shqiptarët gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë janë përfshirë në trafik organesh.  Si ka mundësi që PD ka votuar rezolutën e Putinit?