Bota

Të gjitha rajonet e botës në “darën” e motit ekstrem këtë vit!

“Në vitin që po lemë pas, të gjitha rajonet e botës u përballën me mot ekstrem, si me përmbytje, ashtu edhe me thatësira. Ndërkohë, miliarda njerëz nuk patën akses të mjaftueshëm në ujë të pijshëm”. Të dhënat i japin Kombet e Bashkuara. Në raportin më të fundit të Agjencisë së OKB-së për Motin, thuhet:

Ndikimi i ndryshimeve klimatike kryesisht vërehet përmes ujit. Thatësirat janë më intensive e më të shpeshta, ndërsa përmbytjet, të shkallës më ekstreme, duke prekur ekonomitë, ekosistemet dhe të gjitha aspektet e përditshmërisë sonë.

Rreth 3.6 miliardë persona përballen me kushte jo të përshtatshme për akses në ujë, të paktën një muaj gjatë vitit. “Në periudhën 2001-2018, 74 për qind e të gjitha katastrofave natyrore kanë qenë të lidhura me ujin”, – sipas studimeve të OKB-së. Tashmë, shkencëtarët kanë paralajmëruar për rritje të temperaturës së Tokës me 1.2 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale.

Vazhdimisht përsëritet se temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë nuk marrin masa për të ndalur emetimet e dioksidit të karbonit. Më herët këtë muaj, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për klimën në Egjipt miratoi një deklaratë përfundimtare. Në dokumentin final të konferencës, e njohur si COP27, gati 200 vende rikonfirmuan një vendim të mëparshëm për të hequr gradualisht qymyrin. Megjithatë, në dokument nuk përmendej nafta dhe gazi.

Mosveprimi vjen pavarësisht thirrjeve nga disa vende e ambientalistë për të hequr gradualisht përdorimin e lëndëve djegëse fosile që prodhojnë sasi të mëdha të dioksidit të karbonit që bllokon nxehtësinë. Negociatorët në konferencën globale për klimën në Egjipt ranë dakord të krijojnë një fond të kërkuar prej kohësh për të kompensuar vendet e cënueshme nga klima.

Pagesa e dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike në vendet më të varfra ishte një nga temat më të mprehta të dy javëve të konferencës. Përdorimi i lëndëve djegëse fosile ishte objekt debati gjatë konferencës dy-javore të mbajtur në Sharm el-Sheikh.

Bashkimi Europian shprehu “zhgënjim” për “mungesën e ambicies” në marrëveshjen përfundimtare mbi udhërrëfyesin për reduktimin e emetimeve të CO2. Nënkryetari i Komisionit Europian, Frans Timmermans:

Ajo që kemi nuk është e mjaftueshme për të bërë një hap përpara për popullsinë e planetit. Nuk sjell përpjekje shtesë, të mjaftueshme nga ndotësit kryesorë për të rritur e përshpejtuar emetimet e tyre.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shfaq i zhgënjyer.