Sociale

Tragjedia e Potamit, Prokuroria e Vlorës përfundon hetimet; Arjan Tase akuzohet për vrasje me dashje

Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet për ngjarjen tragjike të Himarës një vit më parë, ku vdiq tragjikisht 7-vjeçarja Jonada Avdia, pasi u përplas në det nga Arjan Tase, ish-shefi i komisariatit të Himarës.

Prokuroria ka dalë në përfundimin se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues Arjan Tase të zonës së përcaktuar (kufizuar) për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit.

Arjan Tase akuzohet për veprën penale të “Vrasje me dashje” në mënyrë indirekte parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Për tetë personat e tjerë, të cilët janë punonjës të policisë kufitare dhe të bashkisë Himarë është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës”.

Fatos Muka, me detyrë shef i sektorit të kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” N.B., me detyrë shef stacioni në Stacionin e Policisë Kufitare, Dhërmi, në sektorin e kufirit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. L.A., B.M. dhe K.H., me detyrë trupa shërbimi në mjetin lundrues BP06, të ngarkuar me kotrollin e vijës bregdetare në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“. A.D. me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shperdorim detyre”. B.A. dhe A.B., me detyrë përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake në Bashkinë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal si punonjës që kanë kryer kontrolle periodike në vendin e ngjarjes.

Si ndodhi ngjarja tragjike

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në Plazhin e Potamit në Himarë. Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.

E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Jonada me origjinë nga Tropoja kishte ardhur me pushime me prindërit e saj, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetonin në Angli. Ngjarja tronditi opinionin publik në të gjithë Shqipërinë të cilët u ngritën në protesta për javë me radhë. Për këtë ngjarje është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.