Bota

Vendi i radhës që ndalon fëmijët nën 16 vjeç të kenë akses në rrjetet sociale!

Florida miratoi së fundmi një projekt-ligj që ndalon fëmijët nën 16 vjeç të përdorin rrjetet sociale, një veprim i diskutueshëm mes një debati të ndezur në SHBA mbi efektet e tij tek të rinjtë. Autoritetet amerikane kanë kritikuar gjithnjë e më shumë gjigantët e internetit, veçanërisht Meta-n, të cilin e akuzojnë se dëmton shëndetin mendor dhe fizik të të rinjve.

Projektligji në Florida, i cili ishte miratuar nga Senati, kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit, me 108 vota pro dhe 7 kundër. Tani mbetet që guvernatori Ron DeSandis ta nënshkruajë atë në ligj. Nëse DeSandis nënshkruan ligjin, kompanive të mediave sociale do t’u kërkohet të parandalojnë fëmijët nën 16 vjeç që të kenë një llogari në platformat e tyre dhe të mbyllin ato ekzistuese.

Rikujtojmë, se New York ka paditur TikTok, Facebook dhe YouTube për probleme të shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Sipas aktakuzës, Meta, Snap, ByteDance dhe Google kanë ndërtuar dhe tregtuar me vetëdije platformat e tyre për të tërhequr, kapur dhe varur të rinjtë.

Në fillim të këtij muaji, drejtori ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg dhe shefat e TikTok, Snap, X dhe Discord u morën në pyetje për gati katër orë nga senatorët e SHBA. Ligjvënësit donin të dinin se çfarë po bëjnë për të mbrojtur fëmijët në internet. Zuckerberg u kërkoi falje familjeve që thonë se fëmijët e tyre janë dëmtuar nga rrjetet sociale, gjatë një seance në Senatin amerikan. 

Fëmijët mësojnë duke vëzhguar dhe imituar mjedisin e tyre. Në kohët e sotme, filmat dhe mediat luajnë një rol të madh në formësimin e karakterit të një fëmije dhe për këtë arsye përmbajtja që ata shikojnë mund të ndikojë në mënyrën se si ata e perceptojnë botën përreth tyre.

Ndërkaq, fëmijët e familjeve që nuk kanë shumë të ardhura shpenzojnë më shumë kohë duke shikuar televizion dhe duke përdorur pajisje elektronike sesa fëmijët e familjeve më të pasura. Raporti i ekspertëve, i cili i ka përfshirë 1400 fëmijë të moshës 8-vjeçare, ka zbuluar se të rinjtë e familjeve më pak të pasura shpenzojnë thuajse tri orë e gjysmë në ditë duke shikuar televizor dhe duke përdorur pajisje elektronike si smartfonët, tabletët apo laptopët.