Aktualitet Bota

Zbulohen dy efekte anësore të rralla nga vaksinat anti-COVID!

Dy efekte anësore të reja, por jashtëzakonisht të rralla, të vaksinës anti-COVID – një çrregullim neurologjik dhe inflamacion i palcës kurrizore – janë zbuluar nga studiuesit që kanë punuar në studimin më të madh për sigurinë e vaksinës deri tani.

Studimi i më shumë se 99 milionë njerëzve nga Australia, Argjentina, Kanada, Danimarka, Finlanda, Franca, Zelanda e re dhe Skocia ka konfirmuar sa të rralla janë ndërlikimet nga vaksina, me studiuesit që konfirmuan se përfitimet e vaksinave anti-COVID prapë se prapë “ua kalojnë rreziqeve”, raportoi The Guardian.

Studiuesit që ishin pjesë e Rrjetit Global për të Dhënat e Vaksinave përdorën të dhëna shëndetësore në sistemet elektronike për të krahasuar normat e 13 sëmundjeve të trurit, gjakut dhe zemrës te njerëzit pasi morën vaksinën Pfizer, Moderna ose AstraZeneca, me shkallën që mund të pritej që këto sëmundje të ishin prezente në popullsinë para pandemisë.

Studimi konfirmoi me një nivel të lartë saktësie lidhjet e njohura mes vaksinave mRNA (Pfizer dhe Moderna) dhe efekteve të rralla anësore të miokarditit dhe perikarditit (të dyja sëmundje të zemrës).

Konfirmoi gjithashtu sindromën Guillain-Barre (ku sistemi imunitar sulmon nervat) dhe trombozën e sinusit venoz cerebral (një lloj mpiksje gjaku në tru) si efekte të rralla anësore të lidhura me vaksinën AstraZeneca.

Por, një efekt i ri anësor e i rrallë, encefalomieliti akut – inflamacion dhe ënjtje në tru dhe palcë kurrizore – u identifikua në analizën e të dhënave si efekt i lidhur me vaksinën AstraZeneca.