@ the movies Film & Tv

Katerina Trungu: “Aktorët turq, konkurrojnë ata të Hollywood-it!”

Në puntatën e kësaj të premteje në “At the Movies” ishte e ftuar moderatorja e njohur Katerina Trungu! Prodhimet kinematografike turke dhe serialet që janë kthyer në një trend, sidomos në Shqipëri ishin pjesë e diskutimeve në studio.

Moderatorja e njohur e cila i ka kushtuar disa vite kohë showbiz-it turk zbuloi se në fakt serialet dhe filmat turq nuk janë të njohur dhe të suksesshëm vetëm në Shqipëri, për shkak të lidhjes midis dy vendeve dhe ndikimit të kulturës turke në vendin tonë për shkak të së kaluarës. Seritë televizive turke janë mjaft të suksesshme pothuajse në mbarë botën me një shtrirje gjeografike të gjerë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut, Brazilin, e madje edhe Greqinë.

Historitë e tyre interesante dhe të veçanta, por edhe buxheti i madh që u akordohet prodhimeve të caktuara, bëjnë që këto filma të kenë sukses të padiskutueshëm. Sa i përket aktorëve që tashmë janë shndërruar në yje thuajse botërore, Katerina zbuloi se shumë prej tyre vijnë nga bota e modelingut dhe nuk kanë një shkollë të caktuar aktrimi, megjithatë sipas moderatores aktorët turq janë konkurentë të denjë të aktorëve të Hollywood-it. Shumë prej tyre kanë fituar mjaft çmime në festivale të rëndësishme ndërkombëtare. Njëri prej tyre me origjinë shqiptare Can Yaman është ndër më populloret duke u shpallur si mashkulli më seksi në Turqi në vitin 2018 por i vlerësuar si i tillë edhe nga revista e njohur amerikane “E! News”.

Vlen të theksohet se jo të gjithë filmat turq të bëjnë për të qarë, pasi ka edhe prodhime me tematika të ndryshme përveç dramave të forta të cilave regjisorët u kanë mëshuar fort. Por sa paguhen aktorët turq për performancat e tyre në aktrim?

Tolgahan Sayışman, bashkëshorti i bukuroshes shqiptare Almeda Abazi, mbetet një nga yjet kryesorë të showbiz-it turk. Për një episod të serialit të ri “Kampioni” aktori paguhet rreth 9 mijë euro.


Burak Özçivit, i cili ka luajtur në “Dashuri e pafund”, paguhet më shumë se 40 mijë euro për një episod. Aktori nuk është i dashur vetëm për publikun turk, por edhe jashtë, çka ka bërë që producenti Mehmet Bozdağ të nënshkruajë një kontratë për 5 vitet e ardhshme me të. Në xhirimet e Osman pagesa e lartë është e justifikueshme për shkak të vështirësive fizike në skena të ndryshme.

Aktorja e “Rejan”, Ebru Şahin dhe Akın Akınözü, falë suksesit të këtij projekti kanë kapur pagesa shumë të mira rreth 4 dhe 6 mijë euro për një episod. Ebru paguhet 2 mijë euro më pak se Akin, duke konfirmuar edhe pabarazinë mes burrit dhe gruas në industrinë e filmave.

Mund te themi se tashmë kinematografia turke i ka thyer kufinjtë dhe suksesi i saj sa vjen e shtohet!