Aktualitet

Aksidenti tragjik në Këlcyrë, 2 në pranga në Shkodër/Dyshohen si trafikantë!

Aksidenti tragjik i një dite më parë në Këlcyrë, me 8 viktima, mes tyre 7 emigrantë të huaj dhe shoferi shqiptar i automjetit ku udhëtonin, hetimet hyjnë në fazë të re. Për llogari të Policisë e Prokurorisë Gjirokastër, sot u arrestuan dy të rinj nga Shkodra. Në pranga ranë dy shtetas 23 e 26-vjeç, të akuzuar për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Deri tani janë identifikuar tre prej shtatë emigrantëve nga Pakistani.

Avokati i Popullit reagoi për aksidentin me 8 viktima në aksin Këlcyrë-Përmet. Në një deklaratë, ky institucion thotë se “ngjarja duhet të shërbejë si kambanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigracionit të paligjshëm e për të promovuar rrugë ligjore e të sigurta për emigracionin”.

Avokati i Popullit ka përcjellë me shqetësim të thellë ngjarjen e rëndë të aksidentit tragjik në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, që solli për pasojë 8 viktima.

Emigrimi i jashtëligjshëm është një sfidë mbarëbotërore dhe çështje e ndjeshme për shoqërinë në tërësi, me të cilën po përballemi fort në dekadën e fundit edhe në vendin tonë.

Ka shumë arsye që njerëzit vendosin të emigrojnë, përfshirë shkëputjen nga konfliktet, kërkesën për mundësi të reja punësimi dhe dëshirën për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe të familjes.

Kjo ngjarje duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin. Adresimi në nivel global i çështjes së migracionit duke trajtuar shkaqet në origjinë, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.

Forcimi i ligjit dhe zbatimin e tij, krijimi i mundësive legjitime për emigracion dhe azil, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për të adresuar shkaqet themelore të emigrimit të paligjshëm janë çështjet që duhen adresuar me prioritet.

Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Përsa më sipër, Avokati i Popullit ka hartuar disa raporte dhe ka dhënë rekomandime ku ka adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë.

Kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë.