Aktualitet

Pas arrestimit të Jorgo Goros, GJKKO-ja sekuestron tokë në Himarë!

Me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO-ja sekuestroi 5080 m2, pjesë e mbi 10 mijë metrave katrorë ku Artan Gaçi do të ndërtonte kompleksin turistik në fshatin Gjilek, në Dhërmi të Himarës. “E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, në fakt është në pronësi shtetërore e rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat”, – thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Sekuestroja vjen në kuadër të hetimeve për tjetërsim pronash për të cilën më 23 mars u arrestua Jorgo Goro, ndërsa ende ishte kryetar në detyrë i Bashkisë Himarë. Ka dyshime se në bashkëpunim me të tjerë zyrtarë, gjithashtu të arrestuar, Goro shpërdoroi detyrën duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me sipërfaqe 10592 m2. Përfitues fundor i truallit ishte Gaçi.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25, të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 176, datë 28.03.2024, ka vendosur:

1.      Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me nr. 176 regjistri themeltar, datë regjistrimi 19.03.2024, me palët dhe objektin e përcaktuar në pjesën hyrëse të vendimit;

2.      Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria numër 36/341, sipas AMTP nr. 9715 datë 07.02.1994, aktualisht e identifikuar në vërtetimet hipotekorë me nr. 112, datë 16.04.2020, dhe nr. 1116, datë 24.12.2013, e cila është konturuar nga Bashkia Himarë në zonën me nr. Pasurie 36/35 me sipërfaqe 5080 m2;

Kujtojmë se më herët SPAK njoftoi se:

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 31, datë 23.03.2024, ka vendosur:

1.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Jorgo Goron, me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale  “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

2.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.B., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

3.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim B.A., me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

4.    Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.GJ., me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

5.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim S.M.,  si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.