@ the movies Aktualitet Art & Kulturë

Armët sekrete të James Bond të përdoruara në Shqipëri, Erald Kapri zbulon më detajisht historitë që fshihen pas tyre këtë javë në “At The Movies”!

Studiuesi Erald Kapri, është bërë i njohur për shkak të dokumenteve të nxjerra nga arkivat Britanike duke nxjerrë shumë sekrete që deri sot nuk njiheshin. Ai madje ka botuar dhe librin e tij “Sekretet e luftës”. Në një shkrim për newsbomb.al, studiuesi shkruan se armët e James Bond janë përdorur në Shqipëri që në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Erald Kapri do të jetë i ftuar këtë të premte në emisionin “At The Movies” në Top Albania Radio, për të na njohur më detajisht për hisoritë 007 në vendin tonë.

Sipas shkrimit të Kaprit, shkruesi i novelave të James Bond, Ian Fleming, punoi në shërbimet sekrete britanike dhe amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Agjenti 007 nuk do të kishte këtë famë pa armët dhe pajisjet e rralla që ai përdor për të shpëtuar shpesh nga situata të vështira. Gjatë luftës u prodhuan në fshehtësi shumë armë sekrete nga britanikët dhe amerikanët që kryesisht u përdorën për luftën guerrile dhe në prapavijë kundër gjermanëve.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se shumë prej këtyre armëve janë përdorur edhe në Shqipëri, madje disa prej tyre u janë falur prijësve lokalë shqiptarë. Në librin “Sekretet e Luftës” gjenden detajet e plota të shumë prej aksioneve ushtarake dhe të spiunazhit që britanikët ndërmorë në Shqipëri në vitet 1943 dhe 1944. Shumë prej këtyre armëve gjenden sot në muzeun perandorak të luftës në Londër dhe publiku i gjerë mund të njihet me armët sekrete të luftës. Nga fotot e siguruara nga News Bomb, dallojnë armët e James Bond dhe Erald Kapri ka dhënë shpjegimin e tyre.

Në armët në fjalë bën pjesë një automatik amerikan i prodhuar në vitin 1942, apo siç njihet ndryshe prototipi UD M42. Shumë pak armë të tilla u prodhuan dhe kjo armë nuk u bë standarde për ushtrinë amerikane. Kjo armë përdorej nga oficerët britanikë në Shqipëri e cila të jepte siguri në luftimet ndaj armikut.

Sten Gun ishte një automatik i lehtë që përdorej me mjaft lehtësi me karikator anash. Ai u dizenjua nga disa inxhinjerë polakë në Britani dhe filloi të përdorej gjatë luftës nga agjentët britanikë në terren. Një prej këtyre armëve ata ia falën në Shqipëri Dule Bej Alimanit, nga Lura i cili po ashtu ka pozuar për aparatin e Dejvit Smajlit.

Agjentët britanikë gjatë luftës në Shqipëri mbanin me vetë gjithnjë një valixhe dore, që në pamje të parë duket si valixhe për mjete pune apo për rroba. Por në fakt ajo valixhe mbante pajisjen e radios që ata komunikonin përtej detit me komandën e tyre. Kjo shpikje, nga më interesantet, ishte tepër e përdorur në Shqipëri.

 

Lapsi vrasës ishte një tjetër gjetje e shërbimeve sekrete. Brenda një lapsi të vogël gjendej një thikë vdekjeprurëse, e cila në rast rreziku mund të të shpëtonte jetën. Me dorë thyhej maja e lapsi e më pas ai kthehej në një armë të vërtetë. Pistoleta e heshur u prodhua për shërbimet sekrete për të kryer vrasje në distantë të ulët pa zhurmë.

Pistoleta sinjalizuese ishte një tjetër shpikje gjatë luftës që agjentët e përdornin për të sinjalizuar pozicionin e tyre në terren, veçanërisht kur prisni furnizimi nga ajri.

Stilolapsi tymues ishte një tjetër armë që u përdor në Shqipëri. Në pamje të parë dukej si një stilolaps i zakonshëm por nëse shtypej nga sipër, ai lëshonte një sasi të madhe tymi duke u kthyer në një bombë tymuese të vërtetë. Pistoleta vrasëse Uelrod u prodhua për të kryer vrasje pa u ndier. Ajo është tepër e vogël dhe duket si një tub, që ka një buton sipër për një plumb të vetëm.

Pistoleta Ualther PKK ishte e preferuara e James Bondit, kjo për shkak se është tepër efektive, e vogël dhe nuk bllokohet. Por kjo pistoletë ishte mjaft e përdor nga agjentët sekret të ushtrisë britanike gjatë luftës.