Pasò Sport

Artan Shyti komenton ‘luftën’ për presidencën e FSHF-së!

I ftuar ditën e sotme në një lidhje telefonike ishte Artan Shyti, i cili ndau disa mendime interesante rreth futbollit. Më së shumti, ai u shpreh për çështjen kryesore të federatës momentalisht, dhe bëhet fjalë pikërisht për zgjedhjen e presidentit të saj. Armand Duka pretendon të marrë mandatin e 46-të dhe rivalë të deklaruar ka Dritan Shakohoxhën dhe Sulejman Starovën. Por si shprehet Shyti për këta tri pretendentë?

Për t’u përputhur, janë përputhur. Por nuk e di a do dashurohen si në “Big Brother Vip”… Karriera në këto institucione duhet të jetë graduale, të provohesh dhe të shkosh më lart. Por kur kemi bërë zgjedhje normale që të bëjmë zgjedhje normale në sport?!

Ndërkohë, duke përdorur pak ironi lidhur me ecurinë e ngjarjeve në sport, Shyti shprehet si më poshtë lidhur me vullnetarizmin.

Hipokrizia është që për një punë vullnetare të papaguar duhet të shkosh të lësh punët e tua. Sikur të kishim edhe në fushat e tjera kaq vullnetarizëm, për të pastruar shkollat për shembull… Është një virus vullnetarizmi ndoshta qe ka shpërthyer! Dëshira për të kontribuar dhe për të sakrifikuar për futbollin është shumë e madhe. Ne shqiptarët jemi sidomos në sport, shumë sipërfaqësor, i marrim gjërat lehtë, bëjmë një veprim e pastaj fillojmë e qajmë dhe harrojmë që duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk mendojmë para, por pas.

Por ç’mendim ka Shyti për personat që janë jashtë federatës kur shprehin dëshirën për të drejtuar?! Ja si shprehet ai ekskluzivisht për “Pasò”.

Si mundet një person nga jashtë federatës të bëhet drejtuesi më i lartë, pa qenë anëtar i një klubi të kërkojë të bëhet president?! Federata nuk është kompani, nuk është biznes.