Bota

Bill Clinton ka një mesazh për ndjekësit pas daljes së tij nga spitali!

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton para pak ditësh u shtrua në një spital në Californi. CNN shkroi se Clinton u shtrua në spital për një infeksion të traktit urinar, që u përhap në qarkullimin e gjakut. 75-vjeçari ishte javën e kaluar në Californi për një aktivitet privat të fondacionit të tij, kur ishte ndjerë i lodhur dhe u pranua në spital pas testimit, sipas zyrës së tij.

Tashmë mësohet se Bill Clinton po rikuperohet pas qëndrimit të tij në spital. Ai postoi një video në llogarinë e tij në Twitter ditën e kaluar, në të cilën ai tha se “ishte shumë i prekur për mbështetjen e madhe” që mori gjatë shtrimit në spital në Qendrën Mjekësore UCI, për një infeksion jo të lidhur me COVID-19. Clinton shprehet:

Jam shumë i lumtur që jam kthyer në shtëpi. Unë jam duke u përmirësuar, duke shijuar këtë mot të bukur vjeshte. Dua t’iu kujtoj të gjithëve, merrni kohë për të kuptuar trupat tuaj dhe kujdesuni për veten. Ne të gjithë kemi punë për të bërë dhe secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në jetë dhe në të ardhmen e afërt. Unë, për shembull, do të bëj çmos që të jem pranë jush për të vazhduar të bëj më të mirën që mundem.

Rikujtojmë se, së fundmi reperi i njohur Gashi ka postuar në llogarinë e tij në Instagram disa fotografi krah Bill Clinton. Në fotografitë e ndara me ndjekësit e tij, Gashi mund të shihet tejet i lumtur, ndërsa takohet me ish-presidentin, i cili është pjesë e albumit të tij të fundit.

Bëhet fjalë për albumin “1984” të reperit, ku në një nga këngët e tij, mund të dëgjohet një frazë e presidentit amerikan me saksofon. Bill Clinton ka mësuar të luajë që në një moshë të re në këtë instrument dhe prej kohësh e ushtron si një pasion të tijin.