Aktualitet Rajoni

25-vjetori i bombardimeve të NATO-s në Serbi/Presidenti Begaj: Faleminderit NATO dhe SHBA!

Sot mbushen 25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s për t’i dhënë fund gjenocidit serb ndaj popullit të Kosovës. Në orën 19:45 të 24 marsit 1999, avionët e Aleancës, lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së Jugosllavisë së kohës, ku bënin pjesë Serbia dhe Mali i Zi. Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti amerikan, Bill Clinton, duke e konsideruar si mundësinë e vetme të përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një mesazh në 25-vjetorin e nisjes së operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Kryetari i Shtetit shpreh falënderime ndaj Aleancës dhe Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët e rajonin e Ballkanit, si dhe përkujton me nderim heronjtë e UÇK-së e viktimat e luftës në Kosovë. Presidenti Begaj vlerëson vendimmarrjen që i dha fund fushatës së spastrimit etnik dhe gjenocidit serb, kontributin e KFOR-it e vizionin e Aleancës për siguri, paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Postimi i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj: 

Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA! 25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.  Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.  Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.

Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin. Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik.

Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet.

Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë. Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!