Back to the Beginning Celebrities

Ekskluzive/Mentor Haziri në një rrëfim emocionues për kujtimet në Top Albania Radio

Gazetarja e njohur Kozeta Kurti pas 13 vitesh rikthehet në Top Albania Radio me emisionin “Back To The Beginning”. I ftuar në episodin e parë ishte këngëtari nga Kosova Mentor Haziri, i cili megjithëse në ditën e 14-të të eksperiencës me COVID-19, nuk i tha jo pjesëmarrjes në emision.  “Sapo e kam kaluar COVID-in dhe jam më mirë. I bëj apel të gjithëve që të vënë maskat dhe të ruajnë distancën sociale, sepse është diçka shumë e vështirë. Kam parë shumë njerëz që kanë ndërruar jetë para syve të mi, nuk ja dolën dot. Duhet të keni kujdes të jashtëzakonshëm sepse në mënyrë tinëzare po i merr jetën njerëzve.” -tha këngëtari.

I pyetur se çfarë domethënie kanë për të kujtimet, Haziri u përgjigj se sa herë i shikon fotot, dokumentat apo çmimet që ai ka marrë, në mendje i vijnë kohët e vjetra kur ka qenë pjesë e Top Albania Radios dhe “Top Fest”.
“Nganjëherë kur i shikoj fotot rikthehem në kohë. Kam shumë mall për kohët e vjetra. Mbas luftës në Kosovë, kur erdhëm në Shqipëri ishte një ëndërr shumë e madhe për një kosovar që të vijë në Shqipëri dhe të këndojë. Kam një nostalgji të paparë e cila më krijon shumë emocione. Sot muzika nuk është njësoj me atë që ka qenë para 20 viteve. Në atë kohë muzika ishte më e mirë sepse ka pasur diversitet më të madh si në hip-hop si në pop etj. Për këtë kam nostalgji më të madhe më shumë.”

Por cilat janë kujtimet e Mentorit me Top Albania Radion? Këngëtari shprehet se është një gjë që nuk do ta harrojë kurrë.  “Ka qenë viti 2003-2004 dhe më kujtohen ato korridoret ku ne pinim kafe dhe kalonim shumë bukur aty. Ka qenë një rrugëtim shumë interesant, një rrugëtim me shumë instrumente. Gjithçka që ka ndodhur aty, ka qenë një kujtim shumë i mirë për shkak se jemi zhvilluar shumë si artistë dhe gjithçka bëhej live.” -është shprehur ndër të tjera Mentori!