Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Mentor Haziri flet mbi eventin për promovimin e albumit të tij të ri!

I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë këngëtari Mentor Haziri. Ai ka folur më shumë për promovimin e albumit të tij më të ri dhe këngët që përfshihen në të. Albumi i tij titulluar “Zani” do të promovohet vetëm pas pak ditësh në qytetin e Ferizajit, ku i pyetur rreth detajeve të koncertit, ai u shpreh:

Është një koncert recital që do të mbahet jashtë në skenë. Më ka ardhur si ftesë nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, të cilët i falenderoj shumë, për ta promovuar me një koncert albumin “Zani”. Kjo është në kuadër të festës së madhe të ditëlindjes së qytetit të Ferizajit pasi është 150 vjetori i tij. Ka shumë aktivitete që po ndodhin këtë vit të organizuara nga drejtoria. Një nga ato është edhe koncerti im, që mezi po pres sepse është diçka shumë e veçantë dhe unike, pasi është një bashkëpunim edhe me një orkestër nga Tirana.

Coveri i këtij albumi është shumë i veçantë, ku artisti i veshur me stil viktorian, duket sikur po vuan. Ideja rreth saj ishte:

Ka lindur si rezultat i muzikës, është thjesht çfarë muzika shqiptare ka përjetuar dhe po përjeton në një farë mënyre. Unë jam rritur me Vaçe Zelën, kam dëgjuar Ansamblin dhe me vite këto emra dhe kjo kulturë është zhdukur, në kuptimin e modernizimit dhe klikimeve, prandaj kam dashur të risjell diçka nga rrënjët e muzikës shqipe. Dhe vetë kjo bërtimë nën ujë është një lloj mesazhi, një ‘Zan’ që del nga uji dhe manifestohet me një çantë aty. Pasi artistët e mirë po marrin çantën dhe po largohen nga këtu. Është një thirrje.

I pyetur se si e shikon botën artistike para dhe pas pandemisë, Mentor Hazizi është shprehur:

Në qoftë se pyet për ndonjë ndryshim të madh para ose pas pandemisë, nuk ka ndonjë shumë të madh. Është e njëjta muzikë që prodhohet. Nuk ka asgjë të re aty. Mendoj se duhet të jenë pak më shumë kreativë artistët aty, të punojnë më shumë, të krijojnë melodi, të fusin instrumente më shumë.