@ the movies Sociale

Ergys Mërtiri: Populli shqiptar priret ta japë votën tek ai që është më i ashpër…

Me hapjen e fushatës elektorale në vend edhe në programin “At the Movies” sjellim atmosferën e politikës duke qenë edhe më pranë aktulitetit përveç përfshirjes në filma.

“The Campaign”, prodhimi amerikan i vitit 2012, me aktorët Will Ferrell dhe Zach Galifianakis, ishte filmi i preferuar i dy moderatorëve të programit, Edit dhe Artës, që jua rekomandojnë të gjithëve ta ndiqni, duke qenë se jemi tashmë zyrtarisht në muajin elektoral.

Filmi satiro-komik sjell “prapaskenat” e kandidatëve për  kongresmen ne SHBA, punën e ekipeve që përgatisin fushtatat, skandalet dhe sjelljet e hijshme apo të pahijshme të kandidatëve.

Për të folur për atë çfarë ndodh në realitetin shqiptar, ishte i ftuar analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri, i cili pohoi se ashtu sikurse në filmin “The Campaign”, votuesit priren të preferojnë kandidatë që nuk qëndrojnë brenda kornizës së politikanit serioz, por pëlqejnë ata që prodhojnë lajm.

Shpesh, skandalet që prodhohen nga një palë, i kthehen si ‘boomerang’ pikërisht asaj pale, duke sjellë efektin e kundërt nga ai i synuari.

Tashmë votuesit janë ndërgjegjësuar dhe duan atë politikan që është i ngjashmi i tyre, atë që flet me një gjuhë të thjeshtë, gjithsesi mbetemi popull që i duam edhe skandalet në politikë, duam edhe pak të folur me ton të ashpër nga kandidatët, sepse duket sikur ata janë më adaptët për të mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës.

Njerëzit janë të ndryshëm, jo të gjithë kanë të njëjtin model dhe pritshmëri…

Përgjithësisht priren të zgjedhin modele të ndryshme që të përfaqësojnë sa më shumë shtresa. Dikujt i pëlqen një deputete që të jetë një grua, që të jetë e mirë e butë etj, dikujt tjetër i pëlqen një që është agresiv që ja tregon vendin palës tjetër është i ashpër me kundërshtarin, dikush tjetër kërkon një intelektual dhe mund të votojë njërin që nuk është fare i mençur, por bën si i mençur.

Pra kërksat e publikut janë të ndryshme… në fund fare politika është aty për të përfaqësuar të gjithë llojet e njerëzve.

Por që në përgjithësi dhuna nuk është problem tek shqiptarët, e kemi këtë kulturën e dhunës të trashëguar ndër 50 vite… Madje ne kemi shprehje të tilla që: ‘Druri ka dalë nga xheneti apo kush të rreh të do’ e shohin dhunën si jo problematike, përkundrazi ai që e ushtron e shohim si të fortë ne kemi respekt për forcën sepse ndoshta është edhe kompleks i krijuar meqenëse jemi edhe popull i rrahur…

Po të shohësh politikanët sillen si gangstera për të fituar besueshmërinë e tjetrit…

Mërtiri përfundoi duke thënë se shoqëria jonë ka ende nevojë për më shumë emancipim, gjë që do sillte edhe nje ndryshim të sjelljeve tona përkundrejt politikës.