@ the movies Tech

Florian Haçkaj ngre shqetësimin për mbrojtjen e fëmijëve, si më të rrezikuarit nga teknologjia

E mbani mend sa u shokuam të gjthë kur pamë “The Social Dilemma” apo “The Great Hack”?! E çfarë bëmë më pas?! Vërshuam të postonim një foto në Insta Story për t’i rekomanduar këta dokumentarë tek miqtë tanë realë e virtualë. Sa u ndërgjegjësuam për risqet? Vështirë ta themi.

@ the Movies” ngriti shqetësimin e sulmeve kibernetike dhe problematikat që na sjell përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) në jetën tonë të përditshme. “Mr. Robot” ishte seriali që Edi dhe Arta na rekomanduan, një serial televiziv i zhanerit dramë thriller, nga Sam Esmail për USA Network. Në rolin kryesor interpreton Rami Malek si Elliot Alderson, një inxhinier i sigurisë kibernetike dhe haker me çrregullime të ankthit social dhe depresion klinik.

 

I ftuar për të folur më tepër rreth sulmeve kibernetike, pluseve dhe minuseve të IA-së, ishte Florian Haçkaj, menaxher komercial i kibernetikës, i cili punon aktualisht në një kompani ndërkombëtare. Flori jeton dhe punon në Zvicër, e duke folur për rreziqet e IA-së, ai përmendi të parin sulmin ndaj fëmijëve, që ndodh rëndom edhe atje. Sipas tij, grupe pedofilësh qëndrojnë pas rrjeteve për të sulmuar minorenët, prandaj prindërit duhet të ndërgjegjësohen sa më parë që nuk është zgjidhja më e mirë t’i lënë fëmijët me një smartphone në dorë, vetëm e vetëm që të fitojnë pak kohë të lirë e të argëtohen për veten e tyre. Të gjithë kemi mundësi që të informohemi për rreziqe të tilla dhe të veprojmë, duke i mbrojtur sidomos fëmijët, të cilët edhe pse janë gjenerata që kanë lindur në epokën e teknologjisë, nuk duhet “të bombardohen” nga teknologjia, duke minimizuar kështu edhe pasojat fizike, psikologjike, etj.

E keni vënë re se si pasi keni kërkuar për një palë këpucë të një marke të caktuar, menjëherë fillojnë t’ju shfaqen qindra reklama për produkte të ngjashme?! Janë algorimet e krijuar në mënyrë të tillë. Këto algoritme shpesh sjellin edhe diskriminime racore, gjinore, sociale, etj. Këto defekte të IA-së pasqyrojnë asgjë më shumë se sa problemet që ne përpiqemi të luftojmë fort edhe në jetën reale. Prandaj nëse luftojmë diskriminimin racor në jetën tonë reale, kjo më pas mund të rregullohet edhe në algoritmet e IA-së.

Sipas Florit, të gjithë jemi të rrezikuar nga sulmet, përsa kohë ne furnizojmë me të dhëna IA, ashtu si në një kartelë mjekësore, ku na pasqyrohet i gjithë historiku i shëndetit tonë dhe na ruhet aty për vite me rradhë. Por, parë nga perspektiva e bizneseve, duhet thënë se IA, lehtëson aktivitetin e firmave, pasi ato ulin kostot, rritin eficiencën e punëtorëve, etj. Gjithsesi, kompanitë duhet të respektojnë rregullat e GDPR-it (Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave).

Edhe në të ardhmen Inteligjenca Artificiale do të jetë pjesë e jetës sonë, por më e rëndësishme është që të ndërgjegjësohemi dhe të tregohemi të kujdesshëm që ta përdorim IA-në në dobinë tonë, e jo të bëhemi “kavie” e tyre.

Tani mund të fikni smartphone-in tuaj dhe të bëni pak orë pushim! Do t’i bëni vetëm mirë vetes.