Botë e Çuditshme Tech

Historike, transmetohen për herë të parë pamje “live” nga planeti i kuq!

Së fundmi, Agjencia Evropiane e Hapësirës transmetoi në YouTube imazhe të drejtpërdrejta historike direkt nga planeti i kuq. Imazhet, të shpërndara në YouTube, llogarinë e ESA-s në Twitter me hashtag #MarsLIVE treguan planetin në një mënyrë që nuk ishte parë kurrë më parë.

Eventi vinte me rastin e 20-vjetorit të lëshimit të orbituesit Mars Express, një mision që ka si qëllim marrjen e imazheve tredimensionale të sipërfaqes së planetit. “Normalisht, ne shohim imazhe nga Marsi dhe e dimë se ato janë marrë ditë më parë”,-tha James Godfrey, menaxher i operacioneve të anijeve kozmike në qendrën e kontrollit të misionit të ESA-s, në Gjermani.

“Jam i emocionuar të shoh Marsin siç është tani, aq afër sa mund të arrijmë një të tashme marsiane.” A nuk kemi pasur më parë pamje “live” nga Marsi? Sipas ESA-s, jo. Shpesh të dhënat dhe vëzhgimet e planetit të kuq merren kur një anije kozmike nuk është në kontakt të drejtpërdrejtë me Tokën, kështu që imazhet ruhen derisa të mund të kthehen.

Sonda Perseverance e NASA-s që aktualisht është duke eksploruar një pjesë të Marsit, ka shkrepur imazhe të reja që duket se zbulojnë prova gjeologjike të një lumi me rrjedhje të shpejtë. Lumi besohej se “ushqehej” në kraterin Jezero, shtrati i një liqeni të lashtë në planetin e kuq.

Perseverance nisi të eksploronte përbërjen e brendshme të kraterit pasi zbarkoi në Mars në shkurt 2021. Së fundmi, rikujtojmë se Nasa ka prezantuar një shtëpi të zakonshme me katër dhoma dhe një zonë sportive. Nëse mendoni se kjo shtëpi do të jetë në Tokë e keni shumë gabim. Duke filluar nga qershori, katër persona do të mbyllen në të për më shumë se një vit dhe do të tentojnë një jetësë në Mars.