Botë e Çuditshme Tech

Identifikon gropat në rrugë, roboti që së shpejti do të testohet në Mbretërinë e Bashkuar!

Një robot autonom i krijuar për të identifikuar gropat duke përdorur Inteligjencën Artificiale, pritet të testohet në rrugë për herë të parë. Roboti i quajtur ARES (Autonomous Road Repair System), ka aftësi të identifikojë gropat dhe çarjet në rrugë dhe t’i rregullojë ato përkohësisht në mënyrë që mos të përkeqësohen për shkak të neglizhencës së shtetit.

Nëse do të ketë sukses, ARES pritet të kursejë kohë dhe para, me një teknologji që do të rendisë Britaninë e Madhe si një ndër vendet me rrjetin më të mirë rrugor. Roboti i zhvilluar nga kompania teknologjike Robotiz3d në partneritet me akademikë të Universitetit të Liverpool-it dhe inxhinierë të shumtë, së shpejti pritet të dalë rrugëve të Hertfordshire për testim. Ky zbulim vjen në një kohë kur Britania e Madhe është mjaft e ngarkuar me gropa për shkak të trafikut të dendur dhe klimës së ftohtë gjatë muajve të dimrit.

Rikujtojmë, se nga ana tjetër kompania kineze Kepler, së shpejti pritet të prezantojë robotin Forerunner, të cilin e pozicionon si një konkurrent të Optimus të Tesla-s. Kepler tha se seria Forerunner demonstron aftësi të avancuara në lëvizjen e trupit, kontrollin e duarve dhe përceptimin vizual. Roboti 1,78 centimetra i gjatë, i cili peshon 85 kilogramë, ka aftësi të lëvizë nëpër terrene sfiduese, të shmang pengesat dhe të manipulojë me shkathtësi objekte me duart e tij. Gjithashtu, Forerunner përmban sensorë të teknologjisë së lartë, të cilet e lejojnë të kuptojë rrethanën në të cilën ndodhet.