Aktualitet Art & Kulturë

Ikona e teatrit dhe kinematografisë Robert Ndrenika feston sot 82-vjetorin e lindjes!

Aktori Robert Ndrenika feston sot 82-vjetorin e lindjes. Ndrenika është një ikonë e teatrit dhe kinematografisë që ka ditur të skalisë një larmishmëri karakteresh.

Miq e dashamirës i kanë bërë urimet gjatë ditës së sotme, që nisi me muralin dedikim të Poem Poshkës, vajzës së aktorit Xheladin Poshka.

Krenare me Ty kumbari im!”, i shkruan Poem, vajza e aktorit nga Maqedonia e Veriut.

Ndërsa nuk kanë munguar urimet nga regjisorja Elma Doresi.

Edhe 100 vite Babai i skenës dhe i filmit. Të uroj shëndet dhe jetë të gjatë”, shkruan Doresi.

Regjisori dhe autori i shumë veprash të suksesshme Pëllumb Kulla, veçon kontributin skenik të artistit si dhe miqësinë me të.

Gëzuar, o artist i papërsëritshëm, o aktor i ëmbël, idhull i artdashësve të hapësirave shqiptare. Eshtë një ditë e veçantë sot, për ne të dy. Kjo dita e dhjetë e janarit na ka sjellë në drite që të dyve! Por mua më solli dy vjet më parë se ty. Ti u vonove dhe unë nuk të prisja dot më! Por ai janari yt na i paskesh prurjet më të mira, me cilësira më të larta. Do të kisha bërë mirë të të prisja. Mbase dhe unë do te isha bërë më i mire dhe më i talentuar. Si ty. Fati është fat. Megjithatë, faleminderit fatit që në universitet na bëri bashkë shok klase dhe kaluam katër vite te paharruara. Jetë të gjatë e të lumtur, Robert Ndrenika, me shendet e gaz në buzë! Qoftë e pavdekshme miqësia jonë dhe ajo e fëmijëve tanë. GËZUAR!”, shkruan Kulla.

Ndërsa aktori Arben Derhemin që ka ndarë sheshin e xhirimeve me Ndrenikën, dhe po ashtu ruajnë raport miqsor i uron “Shekullofsh djalë”.

Robert Ndrenika ka një karrierë të pasur në skenën e teatrit. Sa i përket dramaturgjisë shqiptare, ai ka interpretuar në pjesë si “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës etj.

Ndërsa nga pjesët e huaja ka aktruar në “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” te Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Lidhur me kontributin në kinematografi ka interpretuar në filma si “Horizonte te hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert ne vitin 1936”, “Bolero” etj.