Bota Sport

“Katar 2022”, sot 4 ndeshjet e fundit të grupeve A dhe B! Iran-SHBA me ngarkesë politike!

Kupa e Botës në futboll, “Katar 2022” sot luhen katër ndeshjet e fundit të grupeve A dhe B. Në orën 16:00, zhvillohen sfidat Holandë-Katar dhe Ekuador-Senegal. Në mbrëmje, në orën 20:00 përballen Iran-Shtetet e Bashkuara, si dhe Uells-Angli. Ndërkohë, shpresat e Katarit janë mbyllur e në Grupin B e Anglia është pothuajse e kualifikuar. Për një vend luajnë Amerika e Irani.

“Historik” konsiderohet takimi i mbrëmjes Iran-Shtetet e Bashkuara, një ndeshje e ngarkuar politikisht. Objektivi është i qartë për Shtetet e Bashkuara, të mundin Iranin. “Do të ishte sukses për ne, nëse dalim nga grupi dhe pastaj vazhdojmë me tej me sfidat brenda kampionatit”, – tha kapiteni i skuadrës amerikane Tyler Adams.

Trajneri Gregg Berhalter kërkoi falje për vendimin e Federatës amerikane të Futbollit për të postuar në mediat sociale flamurin e Iranit pa emblemën e Republikës Islamike. Federata e bëri postimin në mbështetje të grave protestuese në Iran.

Një barazim apo një humbje do ta eliminonte skuadrën amerikane, pas një ndeshjeje me Uellsin që rezultoi në barazim 1-1 e takimit me Anglinë që përfundoi po në barazim 0-0. Irani arriti të marrë veten nga humbja 6 me 2 në ndeshjen e parë me Anglinë e fitoi ndaj Uellsit me rezultatin 2 me 0.

Me pjesëmarrjen e dytë në një Kampionat Botëror, në vitin 1998, Irani u gjend në një grup me Amerikën, armiken e betuar. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë prishur që nga pengmarrja e ambasadës amerikane në Teheran, pas Revolucionit Iranian të vitit 1979.

Takimi i datës 21 qershor në Lion të Francës, po ashtu paraqiti një mundësi për paqe. Pas ekzekutimit të himneve, futbollistët amerikanë shtrënguan duart me kundërshtarët, duke u ofruar atyre edhe flamuj. Në këmbim, secili mori një buqetë me trëndafila të bardhë. Më pas, lojtarët u bashkuan për një foto krah për krah. Iranianët fituan 2-1 duke nënshkruar fitoren e tyre të parë në Kupën e Botës.