Aktualitet Bota Rajoni

Komiteti Ekonomik dhe Social, i pari institucion i BE-së që pranon vendet kandidate përfshirë Shqipërinë!

Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (EESC) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Europian që pranon anëtarë nga vendet kandidate për anëtarësim në BE, përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi. Sot anëtarët e rinj morën pjesë për herë të parë në një seancë plenare të këtij komiteti.

Kryeministri Rama ishte mes të pranishmëve në ceremoninë e nismës në Bruksel, krahas kryetarit të EESC-së, Oliver Ropke, zv.presidentes së Komisionit Europian, Vera Jourova dhe kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiç.

EESC-ja merret me çështje sociale dhe ekonomike e në këtë komitet marrin pjesë përfaqësuesit e shoqërisë civile, sindikatave, punëdhënësve dhe sektorëve të ndryshme të industrisë. Në BE, ky institucion ka rolin këshillëdhënës.

Anëtarët që vijnë nga vendet kandidate do të marrin pjesë aktive në punën e EESC-së si të barabartë me kolegët e tyre nga shtetet e BE-së. Por, nuk kanë të drejtën e votës.

Në këtë komitet u pranuan anëtarë nga nëntë shtete kandidate dhe jashtë ka mbetur Kosova, shtet i përfshirë në procesin e Zgjerimit, por i vetmi në Ballkanin Perëndimor që formalisht nuk ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Sipas presidentit të EESC-së, Oliver Ropke, kusht formal për t’u përfshirë është të paturit e statusit të vendit kandidat, që Kosova nuk e ka.

Ky komitet ka pranuar si anëtar Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë e Ukrainën. Që të gjitha këto shtete formalisht janë vende kandidate për anëtarësim në bllokun europian.

Ropke tha:

Nisma shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të shteteve kandidate, para se ato formalisht të anëtarësohen në BE. Pres që kolegët nga këto shtete të sjellin përvojë të dobishme në punën e institucionit që drejtoj.

Komisionerja europiane, Vera Jourova deklaroi se “zgjerimi i BE-së është interes i përbashkët, rrugë e dyanshme që sjell dobi edhe për vendet kandidate, edhe për BE-në”. Zyrtarja bëri thirrje që vendet kandidate të fokusohen në vlerat e demokracisë e të lëvizin drejt Unionit duke respektuar vlerat e përbashkëta, sidomos sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.

Kishte më shumë se 600 kandidatë nga vendet kandidate për t’u emëruar në këtë komitet. Kryeministri Edi Rama dhe homologu i Malit të Zi, Millojko Spajiç shprehën gatishmërinë që dy vendet të punojnë drejt integrimit gradual në BE, jo si zëvendësim për anëtarësim të plotë, por vetëm si rrugë drejt anëtarësimit formal.

Rama bëri thirrje që shembulli i EESC-së të ndiqet edhe nga institucionet e tjera të BE-së, përkatësisht nga Parlamenti Europian, Komisioni e Këshilli.

Një gjë e tillë do të bënte që njerëzit në Ballkanin Perëndimor të shohin se integrimi në BE është real dhe një gjë e tillë do të shmangte hyrjen në cikle të qëllimeve të mira, por që nuk prodhojnë rezultate konkrete.

Duke përmendur ndikimin që pati agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës në rritjen e mbështetjes për procesin e Zgjerimit, Rama tha se “nuk duhet pritur ndonjë agresion tjetër për të lëvizur përpara në këtë proces”.