Back to the Beginning Celebrities

“Kujtimet që kam lidhen me kohën…”/Një rrëfim i veçantë i Erlis Herenit një pasqyrë e jetës së tij ndër vite!

I ftuar në emisionin “Back to the Beginning” së bashku me Kozeta Kurtin këtë javë ka qenë Erlis Hereni. Dy kolegë dhe miq shumë të mirë të cilët para 10-11 vitesh kanë drejtuar së bashku për dy ose tre sezone programin e mëngjesit në OraNews. Jeta e tij ka ndryshuar shumë gjatë viteve si në aspektin personal por edhe në atë profesional në administratën publike. Në lidhje me këto ndryshime kur e kthen kohën pas ai u shpreh se:

Tani që bëj një retro kujtoj që koha ka kaluar shumë shpejt, kam kaluar në disa institucione nga Ministria e Brendshme tek Ministria e Drejtësisë, tek Ministria e Infrastrukturës tanimë në një projekt shumë të rëndësishëm për vendin siç është ai i zhvillimit të Portit të ri turistik të Durrësit.

Më tej Erlis shtoi se:

Kuptoj që koha ka kaluar shumë shpejt sepse kujtimet që kam lidhen shumë me kohën kur isha një student i angazhuar në 2 fakultete, që duhet të vraponte për të kapur emisionin e mëngjesit pastaj natyrisht duhet të jetonte jetën e vet sese ishte edhe momenti kur sapo u njoha me bashkëshorten. Një periudhë mjaft dinamike larg këtij digjitalizimit që kemi sot. 

Ne nuk mund të kthehemi dot pas në kohë por sigurusht që jemi në momentin e duhur ku mund të fillojmë që sot për të ndryshuar të ardhmen. A ka qenë ndonjëherë në optikën apo në mendjen e Erlis kjo?

Jeta ime ka qenë deri diku “shëtitëse” për shkak edhe të të pasurit prindër nga dy skaje të ndryshme të Shqipërisë. Unë që i vogël kam jetuar në Përmet, Tiranë, Kukës, SHBA, Itali, Greqi. Që do të thotë se unë nuk është se kam krijuar atë konceptin e rrënjës por nga e gjithë kjo kam krijuar një besim që në fakt shtëpia është atje ku ti ndihesh më mirë. Aty ku ndihesh i plotësuar dhe i vlerësuar.

Unë e ndaj kohën time mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe për mua mjafton që kudo ku jam dhe do të jem dhe do punoj të jetë thjesht në optikën e asaj që unë dua të bëj. 

Po të kthehej pas a do të largohej nga gazetaria?

Kjo është një gjë që nuk kam për ta ditur kurrë sepse ka qenë një periudhë që unë e kam shijuar shumë. Ndoshta prandaj qëndrova edhe tek shkencat jo ekzakte. 

Mjafton që njeriu të ndihet mirë në atë që bën.