Aktualitet Rajoni

Lufta tjetër e ish krerëve të UÇK-së, nga heronj në të akuzuar për krime lufte në Hagë

Hashim Thaçi, i konsideruar si hero nga bashkatdhetarët e tij për udhëheqjen e luftës së ushtrisë çlirimtare të Kosovës kundër Serbisë, po lufton tani një betejë të re, e mbase më të vështirën e jetës. Atë për të provuar pafajësinë, në një gjykatë me seli në Hagë, ku ai dhe tre bashkëpunëtore dhe ish-zyrtarë të lartë, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Cilido që të jetë vendimi përfundimtar kundër ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve, në çdo rrethanë nuk duhet të mendohet se kjo gjykatë është kundër popullit në Kosovë. Nuk ishte populli i Kosovës që kërkoi luftën, por lufta iu imponua atij”, shprehet Ehat Miftaraj, ekspert, Instituti i drejtësisë në Kosovë.

Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, apo dhomat e specializuara, siç njihen konfirmoi aktakuzën ndaj Thaçit dhe 3 bashkëpunëtoreve të tij, në nëntor të vitit 2020. Ndaj tyre peshojnë 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, vrasje tortura e zhdukje me forcë të personave.

Më 5 nëntor të vitit 2020, Hashim Thaçi dhe dorëheqjen nga posti i presidentit. “Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, shprehej Thaçi.

Krimet me të cilat ngarkohen në dhjetë pikat e akuzës, dyshohet se janë kryer në rreth 40 lokacione në Kosovë, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë Veriore dhe ato sipas aktakuzës “u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”. Shumë prej tyre, thuhet të jenë shqiptare. Aktakuzës fillestare, Zyra e Prokurorit të Specializuar më 2022 ia shtoi edhe disa akuza të tjera që përfshijnë krime që pretendohet të jenë kryer në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe Gjilan.

Olgica Bozanic, një shtetase serbe e Kosovës, e intervistuar nga agjencia e lajmeve Reuters, tha se shpreson që procesi të jetë një mundësi për të mësuar se çfarë u ndodhi dy vëllezërve të saj Todor dhe Lazar Kostic, mbetjet e së cilës u gjetën në një varr masiv në perëndim të Kosovës, në një fshat që përmendet në aktakuzë.

“Nga dëshmitë, dimë se ata u morën nga shtëpia e tyre bashkë me të gjithë burrat e fshatit në 17 korrik të 1998 dhe se u torturuan. Por nuk e dimë se kur dhe si u vranë”.

Gjykata Speciale me seli ne Hage, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Europës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.

Raporti i hapi rrugën themelimit të dhomave të specializuara përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015. Në prag të procesit gjyqësor, postera me fotot e Thaçit dhe ish-kryetarit të parlamentit Kadri Veseli, shoqëruar me shkrimin Heronj të luftës dhe paqes, janë vendosur rreth Kosovës.