Pasò Sport

Në 75-vjetorin e krijimit të Federatës së Basketbollit në Shqipëri, i ftuar në “Pasó” Presidenti i saj, Avni Ponari!

Sot i ftuar në emisionin sportiv “Pasó” nëpërmjet një lidhjeje telefonike ka qenë Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari. Ditën e sotme ka qenë edhe 75-vjetori i krijimit të Federatës së Basketbollit dhe në lidhje me këtë Presidenti i saj është shprehur se:

Kemi pasur një vizitë edhe nga vetë Presidenti i FIBA-së, Hamane Niang dhe nga drejtori ekzekutiv gjithashtu me një delegacion prej 25 vetash. Kemi qenë gjithë ditën me aktivitete në Tiranë dhe Durrës po ashtu me takime dhe shkëmbime eksperiencash. Shqipëria me ekipin e U-14 është bërë pjesë e NBA-së.

Avni Ponari është pyetur nga Edi Manushi në lidhje me investimet që janë bërë në basketboll.

Kemi folur shumë, kemi thënë shumë por do të thosha vetëm një gjë. Në Tiranë kemi vetëm 2 pallate sporti dhe disa palestra ku zhvillohen edhe stërvitje. Në 3000 banorë duhet të kesh një pallat sporti dhe se kur do të bëhen këtë nuk e dimë.

Presidenti i Federatës ka shtuar gjithashtu se:

Deri në moshën 18 vjeçare kemi shumë talente por pastaj bie interesi sepse nuk shohin më prespektivë.

Po në raport me Kosovën si jemi?

Ndryshimi në basketboll ka të bëjë në lidhje me financat. Nëse atje federata ka 1 milion euro këtu ka 150 mijë euro. Duhet të ketë mbështetje. Basketbolli është sport inteligjent dhe shumë interesant. Aty luajnë pesë persona në fushë dhe nëse organizohet gjithçka shkon shumë mirë njësoj si në biznes.