Botë e Çuditshme Gossip

Në ankand plumbi që vrau John Lennon!

Një plumb i shkrepur nga revolveri i përdorur në vrasjen e yllit të ”Beatles”, John Lennon, në Nju Jork në vitin 1980, pritet të arrijë vlerën 2000 paund në një ankand. Përfaqësuesit e ankandit, Anderson dhe Garland po shesin suvenirin në emër të familjes së Brian Taylor, një polic britanik që shërbeu në forcat angleze ”Northumbriane”.

Taylor u lejua të qëllonte me armë gjatë një vizite në vitin 1984 në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. Ai vetë ishte vënë në shënjestër, teksa udhëtonte me një makinë policie gjatë vizitës dhe në shenjë ndjese, i mundësuan vizitën në një muze të vogël të policisë, ku mbahej arma. Atje ai u lejua të gjuante me armën që gjuajti plumbat që goditën një nga yjet më të mirë dhe më të dashur të muzikës, John Lennon.

”Plumbi dhe gëzhoja u gjetën dhe ia dhanë Taylorit si dhuratë. Ai i montoi dhe i vari në murin e zyrës së tij për pjesën tjetër të karrierës së tij”,-theksoi shtëpia e ankandeve. Korniza përfshin një fotografi të Taylor me uniformë duke mbajtur armën. ”Familja vendosi që kjo t’i jepej një fansi tjetër të këngëtarit të ‘Beatles”,-tha shtëpia e ankandit. Vrasësi i Lennon, Mark David Chapman po vuan dënimin e përjetshëm.

Ndërkaq, një pjesë e trashëgimisë artistike të John Lennon do të dalë në ankand. Në qendër të shitjes së “Bonhams ‘Rock, Pop & Film” është mozaiku ikonik “Psychedelic Eye” i porositur nga muzikanti në vitin 1965. Në vitin 1964, John Lennon dhe gruaja e tij e atëhershme Cynthia blenë një rezidencë në St George’s Hill në Kenwood, Surrey, Mbretërinë e Bashkuar. Për pishinën e jashtme, Lennon porositi një mozaik masiv prej 17,000 pllakash të një syri që do të shikonte lart nga muri i skajit të thellë dhe do të krijonte një efekt psikodelik.