Aktualitet Politikë

Politika solidare me Top Channel, të tjera reagime/Ministri Çuçi: Angazhim për zbardhjen e ngjarjes/Veliaj: Të zbardhet sa më parë!

Politika e media janë bashkuar duke dënuar sulmin me armë ndaj mjediseve të Top Channel në Mëzez, me një viktimë, pjesëtar i personelit të sigurisë dhe ndërsa e vë theksin te zbardhja e ngjarjes, shpreh solidaritet me Top Channel.

“Sulmi me armë ndaj TV kombëtar “Top Channel” dhe vrasja e një prej personelit të sigurisë  është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese”. Kështu shprehet kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, duke dënuar ashpër ngjarjen kriminale të mesnatës.

Në Twitter, kryeparlamentarja Nikolla i shpreh ngushëllime familjes Kola, duke kërkuar zbardhjen e menjëhershme të vrasjes.

Solidaritet për TV “Top Channel” dhe ngushëllime familjes Kola. Të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje kriminale!

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi thekson angazhimin për zbardhen e ngjarjes. Ndërkaq, shpreh solidaritetin me Top Channel.

Dënoj sulmin kriminal ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel. Policia e Shtetit bashkë është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe solidaritet me #TCH.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dënuar sulmin mbi Top Channel. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj thekson se sot të gjithë janë solidarë me Top Channel, pas aktit kriminal të mbrëmjes së djeshme, që i mori jetën një personeli të sigurisë. Kryebashkiaku i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i kërkon organeve ligjzbatuese që të zbardhin të vërtetën.

Sot jemi të gjithë solidarë me Top Channel, pas aktit kriminal të mbrëmjes së djeshme, që i mori jetën një personeli të sigurisë. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe mbështetje agjencive ligjzbatuese për zbardhjen sa më parë të ngjarjes!

Kandidati i PD-së për kryetar Bashkie në Tiranë, Roland Bejko:

Ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve të rojes së sigurisë që humbi jetën mbrëmë i vrarë pabesisht nga dora e krimit në oborrin e Top Channel!

Asnjë motiv nuk mund ta justifikojë aktin barbar ndaj një media dhe ndaj qytetarëve të pafajshëm që mbeten viktima të këtij tërbimi të pazakontë të krimit.

Disa ditë më parë një tjetër qytetare humbi jetën në një lokal në rrugën Don Bosko ku punonte për të siguruar jetën e vet me djersën e ballit.

Tirana ashtu si gjithë Shqipëria i ngjan një thertoreje, ku numri i jetëve të humbura për shkak të vrasjeve apo aksidenteve është i ngjashëm me vendet në luftë.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur politikat qeveritare e mbështesin zhvillimin e Tiranës dhe qyteteve të tjera mbi ekonominë kriminale. Aleanca e krimit me politikën dhe politiklanit duhet të marrë fund.

Këtë e kanë në dorë qytetarët dhe drejtësia.

Shpresojmë që agresorët të zbulohen sa më shpejt dhe drejtësia të bëjë punën e vet.

Media dhe qytetarët shqiptarë meritojnë të jenë të lirë, të pa kapur, të pa kërcënuar në ekzistencën e tyre.