Aktualitet

Rama: Përgjigje nga agjencitë ligjzbatuese për agresionin kriminal ndaj TCH!

Kryeministri Edi Rama reagoi për ngjarjen e rëndë të mesnatës kur ndaj godinës së Top Channel në Mëzez u qëllua me breshëri kallashnikovi dhe humbi jetën roja i sigurisë, Pal Kola, 60-vjeç. Në një postim, shefi i qeverisë kërkon që organet ligjzbatuese t’i japin përgjigje atij që e konsideron “agresion kriminal” ndaj Top Channel. Po ashtu i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit:

Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!

Më herët reagoi presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili i shprehu ngushëllime familjes së viktimës, Pal Kola e kërkon “zbardhjen e ngjarjes kriminale”.

Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.

Në emër të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dënon sulmin ndaj Top Channel, me një viktimë dhe e quan “sulm ndaj medias, fjalës së lirë”, si edhe “sulm të rëndë ndaj sigurisë publike në vend”. Alibeaj ngushëllon familjen e rojës së vrarë, Pal Kola e apelon që me urgjencë, organet ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë.

Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë. Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë Pal Kola, që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend. Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave me pasojë vdekjen e rojës së sigurisë së Top Channel, Pal Kola, punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve. Në autostradën e Kavajës, te vendi i quajtur “Përroi i Agait” u gjet një automjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.