Bota Botë e Çuditshme Travel

Refuzuan t’i prisnin biletë, prindërit braktistin fëmijën në aeroport!

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në aeroportin Ben-Gurion në Tel Aviv të Izraelit. Një çift është vënë në pranga pasi kanë lënë fëmijën e tyre në aeroport, pasi kishin refuzuar t’i prisnin atij një biletë për fluturimin. Prindërit, të dy me pasaporta belge, u arrestuan teksa po shkonin te kontrolli i pasaportave. Stafi i aeroportit kishte vënë re se çfarë kishte ndodhur dhe njoftoi menjëherë policinë, e cila arrestoi çiftin.

“Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë. Nuk mund ta besonin atë që po shihnim”, u shpreh një prej anëtarëve të stafit të aeroportit. Autoritetet e Aeroportit të Izraelit kanë thënë se çifti mbërriti me vonesë në Terminal. Ata nxituan për të kaluar kontrollin e pasaportave dhe e lanë fëmijën e tyre në karrocë.

Rikujtojmë se së fundmi, një pasagjer i cili udhëtonte për në Stamboll ka përjetuar disa orë paniku, pasi mendoi se kishte humbur 4 qentë e tij. Turisti pësoi një krizë nervore dhe shpërtheu në lot sapo mbërriti në aeroportin turk, ku zbuloi se linja ajrore me të cilën po udhëtonte i kishte humbur katër qentë. Pas disa orësh pasigurie dhe dëshpërimi, ai mësoi se qentë e tij ishin gjetur në një aeroport në Zvicër, ku turisti kishte ndalur përpara se të nisej për në Stamboll.