Aktualitet Fol Sociale

Respektimi i Kodit të Punës në Shqipëri/ Gjyqtarja: “Prezumohet që ta zbatojnë si punëdhënësi dhe punëmarrësi por…”

Në episodin e shtatë të podcastit të Anila Hoxhës në Top Albania Radio është trajtuar çështja e shkarkimeve nga puna, mbrojtjen e të punësuarve si nënpunës civil kur vlerësohen me notën katër që në rast se përsëritet sjell largimin. Sa të mbrojtur jemi nga punëdhënësit? Eksklusivisht në podcast dalin të dhëna mbi faturën e shkarkimeve të padrejta në adminiatratë që për 10 vjet kap shifrën e përmbi 17 miliardë lekë.

Kjo shifër e lartë tregon se si për dhjetë vjet për qindra të larguar nga puna në institucionet qëndrore, komuna drejtori arsimore, reprate ushtarake e te tjera drejtësia pranoi se ishin larguar në shkelje të ligjit.

Për të diskutuar për këtë çështje për problematikat dhe gjithçka ndeshet në çështjet e marrëdhënies së punës është gjyqtarja Elda Vrionin, një gjyqtare karriere e cila do të shpejgojë gjithçka me detaje. Aktualisht është gjyqtare administrative në Gjykatën e Apelit Administrativ, që është një e vetme në Tiranë.

Pjesë nga intervista: 

Anila Hoxha: Sa e respektojnë Kodin e Punës të dyja palët, si punëdhënësi dhe punëmarrësi? A kërkohet në gjykatë një negocim me punëdhënësin?

Elda Vrioni: Kodi i Punës, i cili është i zbatueshëm vetëm për një kategori punonjësish, jo për të gjithë, prezumohet që ta zbatojnë si punëdhënësi dhe punëmarrësi. Unë nuk di të flas me statistika, në nivel kombëtar, por di të them që numri i çështjeve që i drejtohen gjykatave administrative por edhe gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, dikur gjykatat civile është relativisht i lartë. Më kujtohet që, kur u krijuan gjykatat administrative u bënë disa statistika për të parë cila është pesha që duhet të zërë kjo gjykatë dhe cilat janë çështjet që duhet të gjejë trajtesë, pra objekti i veprimtarisë gjyqësore dhe në fakt kishte shumë çështje me objekt pretendime apo mosmarrëveshje që lidheshin me kontratat e punës.

Anila Hoxha: Aktualisht rezulton që sërisht ka shumë padi?

Elda Vrioni: Ka shumë çështje. Çështjet që kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet nga marrëdheniet e punësimit shqyrtohen fillimisht në shkallë të parë dhe pastaj vijnë mbi bazë ankimi në Gjykatën Administrative të Apelit. E njëjta gjë ndodh edhe në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm dhe në nivel apeli, për shkak të “baclong-u” të krijuar, shqyrtohen mosmarrëveshje të cilat në fakt janë vendimuar disa vite më parë, ndërkohë që çështja e të dërguarit në gjykatë të konflikteve të reja vijon. Dhe është rezultat i shumë faktorëve, psh. situata ekonomike në vend, punëdhënës të cilët në një moment të caktuar në sektorin privat nuk përballojnë të gjitha përgjegjësitë dhe mbyllin frontet e punës.

Anila Hoxha: Megjithëse, ju jeni gjyqtare administrative ju shqyrtoni një natyrë tjetër padish në raport midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, ku paditës është nëpunësi më së shumti dhe të paditur janë institucionet shtetërore. Cila është tipologjia që ndeshni gjatë këtyre gjykimeve administrative? 

Elda Vrioni: Në objektin e veprimtarisë të gjykatës administrative janë vetëm disa ligje, pra gjithmonë në sektorin publik. Por, mbi bazën e rregullimit ose të një ligji të posaçëm psh. policia e shtetit ose nëpunësi civil që e parashikon edhe dispozita, që  gjithashtu ka edhe një garanci dhe ligji shumë të veçantë, nëpunësi gjyqësor etj. Pra, ka disa parashikime që ia japin gjykatës administrative këtë fushë veprimtarie psh. nëse anëtarët e komisionit të prokurimit publik do të largoheshin nga detyra dhe do ta kontestonin këtë gjë, flasim për një largim të parakohshëm sepse ata janë me mandate, do të vijë siç kanë ardhur në gjykatën administrative. Po kështu, punonjësit e policisë së shtetit, po kështu punonjësit e policisë së burgjeve, po kështu punonjësit e shërbimit informativ të shtetit, po kështu nëpunësit civil, punonjësit  e gardës.

Anila Hoxha: Dhe më së shumti për çfarë vijnë nëpunësit civil? Janë vlerësuar me 2 – 4 dhe për këtë arsye duhet të largohen? Po, punonjësit e policisë së shtetit?  Cili është pretendimi i tyre më i zakonshëm?

Elda Vrioni: Shumica e padive janë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Pra, punonjësit e policisë vijnë në gjykatë edhe kur shkarkohen dhe përjashtohen nga policia e shtetit. Mbasi janë proceduar disiplinarisht, por në disa raste edhe penalisht nëse ka një vendim të formës së prerë. Dhe situata tjetër është kur ata lirohen dhe situata e lirimit që parashikohet gjithashtu në ligj, nëse në vlerësim të tyre nuk plotëson standartet, kërkesa e ligjit është e kontestueshme në rrugë gjyqësore.

Anila Hoxha: Ndërsa nëpunësit?

Elda Vrioni: Nëpunësit civil vijnë jo vetëm për situatën drastike, pra kur janë larguar nga detyra por edhe për çështjet e vlerësimit profesional. Është kjo që ju thatë, që vlerësimi i nëpunësit civil është shumë i rëndësishëm për efekt karrierë, por jo vetëm. Nëse ka dy vlerësime të njëpasnjëshme thotë ligji për nëpunësin civil që janë me vlerësime minimale, pra pamjaftueshëm, niveli 4 është pamjaftueshëm dhe këto 2 vlerësime janë konsegutive, të njëpasnjëshme. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Atëherë kjo përbën shkak për largim nga shërbimi civil. Dhe në këtë rast duke ditur tashmë të  gjithë nëpunësit e shërbimit civil, ata që kanë marrë status dhe kanë garancinë nga ligji, duke ditur këtë gjë në fakt vijnë në dyert e gjykatës që në momentin që kanë një vlerësim të parë negativ. Që për për 4 (katrën) e parë është vlerësimi i parë në nivel të pamjaftueshëm.

Anila Hoxha: A e ka të dokumentuar, sektori juridik i institucionit të paditur se pse e ka të vlerësuar me 4 (katër) nëpunësin e shërbimit civil, qoftë me vlerësimin e parë me 4(katër), qoftë për të dyja rastet, që sjellin pasojën, pra largimin nga detyra?

Elda Vrioni: Sigurisht, që është në barrën e provës të subjektit punëdhënës ose organit publik të paditur që ti provojë gjykatës dokumentarisht një për një, që justifikojnë vlerësimin e bërë nga ana e tij për secilin komponent. 

Anila Hoxha: A i sjell shteti këto prova? Apo edhe institucionet shtetërore  mjaftohen me formularin?

Elda Vrioni: Në asnjë rast nuk mund të mjaftohesh me formularin. Sepse formulari ka pasqyruar në mënyrë të koncentruar argumentat dhe konkluzionet  por nëse psh. në vlerësimin e titullarit apo të eprorit direkt nëpunësi civil nuk i është përgjigjur detyrave brenda afateve kohore, brenda parametrave të caktuar që duhen ti trajtonte, ne kërkojmë që të na vërtetohet kjo gjë. Pra, kërkojmë referenca konkrete, raste konkrete. Unë kam patur disa raste personalisht, kur nëpunësit civil kanë pretenduar parregullsi të vlerësimit madje kanë thënë që janë vlerësuar minimalisht, kur në vlerësimet e mëparshme kam kapur maksimumin.

Anila Hoxha: Është ky esktremiteti i palogjikshëm?

Elda Vrioni: Ky ekstremiteti apriori ndoshta nuk them dot i palogjikshëm, por ka një diferencë, e cila të ngjall kërshëri që duhet verifikuar sepse nuk mundet që një nëpunës cilësor të kthehet në një nëpunës të pazotë në atë masë sa që  të largohet fare nga shërbimi civil.

Anila Hoxha: A mendoni se ka nevojë për përmirësime ligjore për ta bërë punonjësin më të mbrojtur ndaj institucionit ku ai është i angazhuar?

Elda Vrioni: Unë mendoj që fushat për përmirësim dalin rast pas rasti në varësi të problematikave që sillen në gjykatë. Më problem sesa përmirësimi në vetvete është zbatimi me korrektesë. Ndonjëherë, çështja e zbatimit të duhur është edhe rezultat interpretimi. 

Anila Hoxha: A kemi ne organe publike që tregohen arbitrare me nëpunësit dhe largojnë ata nga shërbimi civil?

Elda Vrioni: Arbitrariteti  nëse ne do ta barazonim me largimin e paligjshëm nga detyra, raste të tilla ka, sigurisht. Ka shumë raste kur gjykata shkarkimin nga detyra ose largimin nga shërbimi civil ose përjashtimin nga po themi nga strukturat e policisë të një punonjësi e gjen të pajustifikuar. Nëse ne, arbitraritetit do ti vendosim një tjetër dozë, pra a jemi në kushtet kur veprime të tilla bëhen enkas nuk mendoj që gjykata në analizën e vet i referohet këtij boshti por shikon se ligji është zbatuar. T’ju jap një shembull. Ka raste kur lirohen nga detyra punonjës të policisë për shkak të ristrukturimit, për shkak të ri-organizimit dhe nuk ka vende të mjaftueshme. Gjykata kërkon informacion mbi bazë strukture, më bindni që rrethanat janë të tilla që ju jeni të detyruar që ta lironi punonjësin e policisë sepse nuk ka mundësi sistemimi. Dhe kjo është një analizë në bazë të ligjit të provave.

Anila Hoxha: Cilat janë institucionet e tjera që me pretendimin e ristrukturimit të institucionit nuk kanë gjetur vend dhe kanë larguar nëpunësin? 

Elda Vrioni: Mbaj mend që në vitin 2013 -2014 për shkak të, po ta quajmë kështu të “riformatimit” të shumë ministrive ka patur shumë lëvizje të kësaj natyre. Të gjitha kanë gjeneruar në çëshje gjyqësore dhe sigurisht rezultatet e gjykimit kanë qenë të ndryshme. 

Anila Hoxha: Ka patur para disa vitesh një diskutim ku thuhet se kostoja e largimit të padrejtë e një punonjësi nëse vërtetohet i tillë nga gjykata ta paguajë eprori. Diçka e tillë nuk gjeti zbatim ligjërisht por sipas jush edhe njëherë ku duhet ndryshuar ligji? 

Elda Vrioni: Unë nuk e shikoj ngërçin tek ligji sesa tek nevoja për zbatimin e ligjit si duhet. Duhet titullari i një organi të mbajë vetë përgjegjësi financiare në rastin e një largimi të padrejtë nga puna? Është shumë i guximshëm, si parashikim. Personalisht, mendoj që jo.