Aktualitet Politikë

Rikthimi i mundshëm i Lulzim Bashës në krye të PD, mendoni se i rrezikon demokratët? Ja përgjigjet e sondazhit!

Demokrati Lulzim Basha i është rikthyer së fundmi skenës politike pas një periudhe të gjatë shkëputjeje. Basha ka kryer një takim me të rinjtë, ku në fokus të diskutimit ishin zgjedhjet e 14 majit dhe “zhgënjimi” siç e quajti ai që kanë qytetarët, duke e treguar me pjesëmarrjen e ulët në votime.

Lulzim Basha është rikthyer me 3 propozime të cilat sipas tij janë emergjencë kombëtare për t’u rikthyer besimin qytetarëve tek politika. Basha tha se duhet të ketë lista të hapura për kandidatët që duan të përfaqësojnë qytetarët, vetting për politikanët dhe kufizimi i mandateve për qeveritë. Ai u shpreh se bojkoti i qytetarëve është një mesazh dhe jo indiferencë dhe se në fushatë kishte vetëm gjuhë tallëse dhe jo ofertë.

Ai ka folur për një rikthim në Partinë Demokratike, por thekson se “nuk do të bëhet kurrë pjesë e baltosjes, edhe kur të vazhdojnë siç kanë rinisur me të njëjtat sulme, gënjeshtra e mashtrime.” Para pak ditësh, në web-in e Top Albania Radio-s ne ngritëm një sondazh ku pyetëm: “Rikthimi i mundshëm i Lulzim Bashës në krye të PD, mendoni se i rrezikon demokratët?” Përgjigjet ishin këto; 67% janë përgjigjur me po, 22% janë shprehur se jo, ndërsa vetëm 11% janë përgjigjur me nuk e di.

Ndërkohë sondazhi i ri në faqen tonë është: “Tensionet në veriun e Kosovës, mendoni se kryeministri Albin Kurti duhet të tërheqë kryetarët shqiptarë nga komunat në veri me shumicë serbe?” Votoni në këtë link për të dhënë mendimin tuaj.