Aktualitet Fol

Rrëfimi tronditës i prindërve të 11-vjeçarit që ndërroi jetë gjatë një ndërhyrjeje estetike!

Në episodin e katërt të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio fokusi ka qenë tek të dhënat investigative mbi ngërçin e padive të dëmeve ku kryesojnë si me të paditurit IKMT, OSHEE, Policia, dhe Autoriteti Rrugor. Janë përfshirë gjithashtu edhe rrëfime të familjeve që ngritën padi, rrëfimi personal të një gjyqtari të lartë që veç historisë familjare tregon se ligji parashikon që shtetasit shqiptarë mund të ngrenë padi dëmshpërblimi edhe për tejzgjatje gjykimi si dhe ndaj zyrtarëve që dënohen për korrupsion.

Sheje Almadhi është nëna e Denis Almadhit, i cili ndërrroi jetë në moshën 11-vjecare gjatë një ndërhyrjeje estetike në qepalla. Mungesa e medikamentit dentrolen që duhej të përdorej në çastin kur fëmija gjatë operacionit u prek nga hipertermia malinje, u konsiderua nga gjykatat si mjekim i pakujdesshëm. Por dënimi me gjobë i mjekut Kevin Klarkson dhe shpallja i pafajshëm i kolegut të tij Gerald Fahy, prej 2012 shënoi nisjen e një beteje që ende nuk ka marrë fund. Nga ky proces penal u hapën të tjera padi ndaj prokurorëve të cilët nuk gjetën në spital se kush ishte përgjegjës që medikamenti mungonte. Familja Denisit është kthyer në simbol të gjetjes së drejtësisë dhe për Fatmirin, babain e vogëlushit të ndjerë hapja e një procesi civil me të paditur shtetin, është pjesë e këtyre përpjekjeve.

Pjesë e shkëputur nga podcasti “Fol me Anila Hoxhën”:

Sheje Almadhi (nëna e Denis Alimadhit)

Sheje Almadhi: Çuni nuk kishte probleme me shikimin, fare. Vetëm rënie qepalle. Për ta zbukuruar ishte. E morëm nga shkolla, e çuam. Këtu, na thoshin që nuk operohet por, për vdekje kurrë nuk më ka shkuar mendja. Dhimbja është e madhe. Asnjëherë nuk u mora në pyetje, as nga prokurorët, as nga… si qe, si ndodhi. Edhe gjyqtari tha  “mund ta di kush është kjo?”.  “Kush jam unë?! Unë jam nëna e Denisit”- i thashë. Drejtësia zvarritet dhe drejtësi nuk ka. Ne kemi bërë gjyqe pa fund. Pa fund gjyqe.

Anila Hoxha: Në cilën gjykatë jeni ?

Sheje Almadhi: Në Gjykatën e Lartë.

Anila Hoxha: Po në gjykatën administrative?

Sheje Almadhi: Po, edhe në gjykatën administrative.

Anila Hoxha: Kë bëni ju fajtor tani, pas këtyre viteve që kanë kaluar?

Sheje Almadhi: Mjekët. Mjekët ishin. Sepse çuni nuk kishte asnjë lloj problemi.

Fatmir Almadhi, (babai i Denisit)

Anila Hoxha: Ju dorëzuat denoncim. U shpallën fajtorë. Ka njerëz të dënuar për këtë gjë? Në çfarë faze është procesi?

Fatmir Almadhi: Procesi është në Gjykatë të Lartë. Gjykata e Lartë ka dalë me një vendim që tashti nuk e merr për shqyrtim mospranim rekursi, thotë ai. Arsyeja se di. Se kam vendimet këtu. Mospranim rekursi thotë ankimimit.

Anila Hoxha: Çfarë kërkonit ju në këtë rekurs?

Fatmir Almadhi: Ky rekurs për prokurorin që nuk na thirri, nuk mori, nuk zbardhi çështjen. Prokurori plotësoi dosjen si deshi, si bëri.

Anila Hoxha: Do shkoni në kushtetuese dhe në Strasburg?

Fatmir Almadhi: Deri në fund, ku të jenë këto. Sa kam marrë vendimet e Gjykatës së Lartë. Do shkojmë pastaj në kushtetuese dhe pastaj në Strasburg. Të gjitha shkallët.

Anila Hoxha: Kërkoni të merren nën përgjegjësi edhe njerëzit e drejtësisë që nuk e hetuan siç duhet?

Fatmir Almadhi: Kjo është kryesorja. Sepse mjekët e bënë atë. U ndodhi ajo. Se nuk thotë kush që e bënë me dashje por u ndodhi. Këto e bëjnë me dashje. Njerëzit e drejtësisë e bëjnë duan dhe e bëjnë. Nuk është se iu ka ndodhur diçka, njerëzit e drejtësisë e kanë por nuk e zbatojnë.

Anila Hoxha: Nuk hetuan?

Fatmir Almadhi: Më iku fëmija dhe e dinë të gjithë si shkuan rrjedhojat. Jo nuk është ashtu sic thua ti, është kështu si dua unë. Ndërkohë kam paditur në gjyq edhe prokurorë edhe këto, gjykata e kthen mbrapsht. Thotë mospranim rekursi.

Anila Hoxha: Nga ana tjetër keni edhe një proces administrativ. Çfarë kërkoni në këtë proces?

Fatmir Almadhi: Atje kërkojmë dëmshpërblim. Këto të acarojnë më shumë që ti t’ju kërkosh. Edhe të mos e kesh në mend ti, vetë këto të fusin në atë rrugë që ti të vazhdosh të kërkosh e të bësh.

Anila Hoxha: U kërkoi dikush falje?

Fatmir Almadhi: S’ka ardh asnjë. Asnjë s’ka ardh me trokitë tek dera. Apo kot thjesht, një telefon “ore na ndodhi, u bë, apo si qysh”. Absolutisht.

Anila Hoxha: E dini se kur e keni gjyqin në administrative?

Fatmir Almadhi: Jo, akoma që jo. Thotë në pritje. Datë nuk ka. Kam shkuar, kam pyetur. Nuk ka datë akoma. Do ta ndjekim. Nuk do e lëmë.

Anila Hoxha: Kë keni paditur në këtë proces?

Fatmir Almadhi: Unë në këtë proces kam paditur QSUT. Mbasi fshehën provat, paditëm të dy prokurorët, asnjë çështje nuk është mbyllur që të dali se kush është fajtori. Jo fajtor. Po të marri gabimin përsipër se çfarë bëri ky, falsifikoi dokumentat. S’ka. Të gjithë thonë që fajtor je ti. Çfarë fajtori jam unë?! Mua më vdiq fëmija. Më iku fëmija. Fajtor qenkam bërë unë?!

Anila Hoxha: Në cilën klasë ishte Denisi?

Sheje Almadhi: Në klasën e pestë.

Anila Hoxha: Si ratë në kontakt me mjekët?

Sheje Almadhi: Folëm nëpërmjet telemjekësisë që u lidh me mjekët irlandezë. Dhe na garantuan që s’ka problem. Sepse e kishin operuar edhe njëherë më përpara. Ditën e fundit kur e futën në sallë, e çuam që në mëngjes, nga ora 8 e mëngjesit edhe deri nga ora 13:00, që e kanë futur në sallë, ai na kërkonte bukë. Dua bukë, dua bukë. Erdhën mjekët e morën. Kur erdhën që e morën, unë dola, u vara me këmbë nëpër shkallë, kurse Fatmiri kishte zbritur me ashensor sepse ishte në kat të dytë tek “Francezi”. Aty mbetëm gjithë ditën duke pritur.

Anila Hoxha: Kur e kuptuat që kishte diçka që nuk shkonte?

Sheje Almadhi: Nga ora 5 ka qenë. E shihja infermierët që kishin lëvizje. Ne kishim zërë derën nga ku do të dilte dhe dera ku hyri. Nuk na treguan. Më pas na morën dhe na futën në sallë të operacionit. Na thanë që ka ndodhur një komplikacion dhe kërkohet një ilaç. Po presim që të na i sjellin. Por kur kam hyrë në sallë, çuni. Nuk doja të besoja, por çuni ka pas vdekur. Kur më pyet ndonjë, ndihem shumë në siklet që më pyet sa fëmijë ke, se s’di çfarë t’i thuash. Se s’do të japësh shpjegime.

Megjithë vitet që kanë kaluar familja e Denisit pret të dëgjohet në Gjykatën e Apelit, aty ku palë kundërshtare është një institucion shtetëror.