Një infermiere e burgut Aylesbury në Buckinghamshire të Britanisë së Madhe po hetohet nga autoritet pasi dyshohet se ka nisur një lidhje dashurie me një prej të burgosurve. Alexandra Power është larguar nga puna pasi akuzohet se ka nisur një romancë me Jay Bell, i dënuar me 10 muaj burg për prishje të qetësisë publike. Burgu më i madh i Britanisë që u hap në vitin 2017 u konsiderua si një model ku u shpenzuan 212 milionë paund për rehabilitimin e kriminelëve. 7 vite më vonë, burgu ka fituar një tjetër reputacion, si epiqendra e një skandali seksual që përfshin shërbimin e burgjeve.
Vitin e kaluar jo më pak se 18 gra që punonin në burgun e kategorisë C për meshkuj të rritur, me një kapacitet prej 2100 personash, ishin shkarkuar ose dhanë dorëheqjen pasi kishin thyer rregullat për marrëdhëniet me të burgosurit. Një nga rastet e tjera është ajo e oficeres në provë Ayshea Gunn, e cila shkëmbeu më shumë se 1200 telefonata, duke përfshirë thirrje me video, me të burgosurin Khuram Razaq.
Po ashtu një kolege e saj oficerja Emily Watson kreu një akt seksual me një të burgosur në qelinë e tij. Muajin e kaluar dy punonjëse femra të burgut u paraqitën në Gjykatën e Bolton Crown, të akuzuara për marrëdhënie të njëkohshme me të njëjtin të burgosur. Oficerja e burgut Bates ishte e para që filloi një marrëdhënie me një të burgosur, i akuzuar për trafik droge. Ajo ishte aq e magjepsur sa filloi të shkëmbente mesazhe me të dhe t’i dërgonte foto nudo. Madje planifikonte që pasi ai të lirohej të kishin një marrëdhënie së bashku. Marrëdhënia e dytë, me punonjësen e ndihmës operative Wilkes, doli në dritë në vitin 2020 kur në qelinë e të burgosurit u gjet një telefon kontrabandë që përmbante dhjetëra mesazhe.
Bates u dënua me dy vjet e tetë muaj burg dhe Wilkes u dënua me 12 muaj, e pezulluar për dy vjet. Në tre vitet deri në mars 2023, 31 punonjëse femra të burgut që punonin në burgjet e meshkujve u pushuan nga puna, duke përfshirë një që lindi fëmijën e të dashurit të saj të burgosur dhe një tjetër që kishte numrin e qelisë së tij tatuazh në kofshë.