Bota

Samiti për Klimën, miratohet marrëveshja për shmangien e lëndëve djegëse të papërpunuara!

Presidenca e Samitit global për Klimën COP28 arriti që të miratojë një marrëveshje për klimën, e cila për herë të parë, i nxit shtetet që të bëjnë tranzicion nga lëndët djegëse të papërpunuara, në mënyrë që të shmanget më e keqja në ndryshimet klimatike.

Marrëveshja reflekton një konsensus të gati 200 shteteve të mbledhura në Dubai, ndonëse shumë qeveri kanë insistuar në përdorimin e një gjuhe më të ashpër, që nënkupton dhënien fund të përdorimit të lëndëve djegëse të papërpunuara, por diçka e tillë është kundërshtuar nga vendet prodhuese të naftës. Ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Espen Barth Eide deklaroi:

Kjo është hera e parë që bota po bashkohet për një tekst që flet qartë për nevojën e kalimit nga lëndët djegëse të përpunuara. Ka qenë një problem i padiskutueshëm, që më në fund ka marrë vëmendje.

Liderët e miratuan sot dokumentin, duke iu dhënë fund negociatave të vështira dyjavore mes palëve. Marrëveshjet e arritura në samitet e Kombeve të Bashkuara duhet të miratohen me konsensus dhe më pas, secili shtet është përgjegjës për zbatimin e tyre, përmes politikave e investimeve kombëtare.

Synimi i kësaj marrëveshjeje është që deri në vitin 2050, të mos ketë nxjerrje të dioksidit të karbonit në natyrë prej këtyre lëndëve djegëse.

Po ashtu, në akord bëhet thirrje edhe për një trefishim të kapacitetit për energjinë e ripërtrishme deri më 2030-ë, në mënyrë që të rriten përpjekjet për ta zvogëluar përdorimin e qymyrit e që gjithashtu të punohet drejt atij që cilësohet “dekarbonim i industrive”.

Kjo marrëveshje shënon herën e parë në dekada që shtetet janë pajtuar për të hequr dorë gradualisht nga nafta, gazi dhe qymyri në kohën kur siç dihet, përmes tyre prodhohet rreth 80% e energjisë në mbarë botën.

Shkencëtarët kanë thënë se këto lëndë djegëse përbëjnë burimin kryesor të emetimit të gazrave serrë, të cilat më pas ndikojnë në ndryshimet klimatike.