Aktualitet Rajoni

Takim Begaj-Pendarovski në Pustec/Pendarovski: Procesi i Berlinit, çadër për nismat në Ballkan!

Presidentët e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut, Bajram Begaj dhe Stevo Pendarovski, sot u takuan në Pustec ku jeton minoriteti maqedonas në vendin tonë. Kryetari i shtetit vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve e tha se “sfidë e përbashkët është krijimi i kushteve, për më shumë mirëqënie për qytetarët”. Sipas Begajt, “kjo vizitë do të shërbejë për forcimin e  bashkëpunimit”.

Jo pa qëllim kemi zgjedhur Bashkinë e Pustecit, për të treguar që marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë marrëdhënie të dy vendeve mike, vende partnere të NATO-s e që kanë një rrugëtim të përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kuptohet që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe minoriteti maqedonas në Bashkinë Pustec janë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shumë mirë të integruar e kanë kontribut në shtetformimin e Maqedonisë së Veriut.

Ndërmjet dy vendeve, sfidat janë të mëdha. Ato duhet t’i përballojmë së bashku. Një nga këto sfida është që të kemi mirëqënie për komunitetet tona, për maqedonasit në Pustec e shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.  Besoj që kjo vizitë do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit.

Homologu Stevo Panderovski foli në lidhje me Ballkanin e Hapur. Sipas tij, “ekzistojnë 50 iniciativa që krijojnë kushte të përshtatshme për bashkëpunim midis popujve. Të gjitha shtetet që marrin pjesë e kanë të qartë se mbi çdo inciativë është Procesi i Berlinit”.

Që nga fillimi i tij e deri më tani, Ballkani i Hapur është për një bashkëpunim rajonal mes shteteve të Ballkanit. Ekzistojnë mbi 50 iniciativa, të cilat krijojnë kushte të përshtatshme për bashkëpunim ndërmjet popujve.

Ballkani i Hapur ka qenë një prej atyre nismave e shpresoj që edhe të funksionojë në një format të tillë.  Eshtë e pakontestueshme se çadër për të gjitha nismat është Procesi i Berlinit, i cili ka marrëdhënie strukturore më të sakta se Ballkani i Hapur.

Procesi i Berlinit ka marrëdhënie strukturore shumë më të sakta se Ballkani i Hapur.