Botë e Çuditshme

U kap në gjendje të dehur duke drejtuar makinën por burri belg falet pasi trupi i tij prodhon alkool!

Një burrë belg është liruar nga akuza për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur sepse ai ka sindromën e auto-birrarisë (ABS), një gjendje jashtëzakonisht e rrallë ku trupi prodhon alkool. Avokatja e tij Anse Ghesquiere tha se tre mjekë që e ekzaminuan në mënyrë të pavarur kishin konfirmuar se ai kishte ABS.

Mediat belge thanë se në aktgjykim, gjyqtari theksoi se i pandehuri, i cili nuk u emërua në përputhje me zakonet gjyqësore vendase, nuk kishte përjetuar simptoma të dehjes. Gjykata e policisë së Bruges, e cila e shpalli të pafajshëm burrin, nuk iu përgjigj menjëherë një emaili që kërkonte koment.

Lisa Florin, biologe klinike në spitalin belg AZ Sint-Lucas, tha se njerëzit me ABS prodhonin të njëjtin lloj alkooli siç gjendet në pijet alkoolike, por që në përgjithësi ndjenin më pak efektet e tij. Njerëzit nuk lindin me ABS, por mund ta zhvillojnë atë kur tashmë kanë një sëmundje tjetër të lidhur me zorrët. Pacientët mund të paraqesin simptoma që përputhen me intoksikimin nga alkooli, siç janë të folurit e paqartë, pengesa, humbja e funksioneve motorike, marramendje dhe belbëzim.

Rikujtojmë, se Gjermania ka legalizuar kanabisin, por çfarë pritet të ndodh me rregullat e trafikut? Pyetja kryesore është se sa THC (Delta-9-tetrahydrocannabinol) do të lejohet në gjak dhe me këtë rast është shprehur edhe organi rregullator dhe ka propozuar vlera kufitare për qarkullimin. Sugjerohet bazuar në përbërësin aktiv THC, një përqendrim prej 3.5 nanogramë për mililitër serum gjaku, siç njoftoi pak ditë më parë Departamenti Federal i Transportit. “Nëse arrihet kjo vlerë, efekti i rëndësishëm për sigurinë në komunikacion gjatë drejtimit të mjetit motorik nuk është i largët”- njofton ministria.