Aktualitet

Armë, tritol e cannabis, dy të arrestuar nga blutë e Sarandës!

Goditja e armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, dy persona në prangat e bluve të Sarandës. Operacionet policore u ndërmorën në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale kombëtare “Sundimi i ligjit” e “Tempulli 2”. Njëri prej të prangosurve është një 46-vjeçar nga Ksamili i njohur edhe më parë për policinë si person me precedentë në fushën e vjedhjes, ndërsa i ndaluari tjetër nga Saranda, 35-vjeç ka precedentë për lëndët narkotike.  Materialet procedurale për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Brenda 24 orëve, finalizohen dy operacione për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Operacionet, në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale kombëtare “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli 2”. Në kuadër të operacioneve të koduar “Strike 11” dhe “Strike 12”, vihen në pranga dy shtetas. Sekuestrohen dy armë zjarri, një kallëp tritoli, dhjetëra doza lënde narkotike cannabis, fara cannabisi, një mjet prerës (thikë), një palë pranga, municion luftarak, një shumë parash, një pjesë të dyshuara të falsifikuara, si dhe 8 celularë. Gjatë operacionit “Strike 11”,📍në Sarandë, u arrestua në flagrancë shtetasi A.S., 35 vjeç, banues në Sarandë, me precedent kriminal në fushën e narkotikëve.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore, kanë ushtruar kontroll fizik ndaj 35-vjeçarit, të cilit i gjetën dhjetëra doza lënde narkotike cannabis, të cilat ky shtetas i shiste në zona të ndryshme të Sarandës. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në Sarandë, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov, 1 kallëp tritoli, 1 krehër me municion luftarak, një sasi lënde narkotike cannabis, një sasi farash cannabisi dhe një shumë parash të dyshuara të falsifikuara.

Në kuadër të operacionit “Strike 12”,📍në Ksamil, u arrestua në flagrancë shtetasi S.M., 46 vjeç, banues në Ksamil, me precedent kriminal në fushën e vjedhjes. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e 46-vjeçarit, në Ksamil, ku gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, 1 mjet prerës (thikë), 1 palë pranga, disa fishekë arme gjahu, një shumë parash në euro dhe 8 celularë. Materialet procedurale për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.