Aktualitet

Biznesi i preferuar i shqiptarëve arrin 650 milion euro/Rritet sërish numri i kafeneve!

Biznesi më i preferuar i shqiptarëve që nga fillimi i viteve ’90, ai i bareve e restoranteve, sërish e mori veten më 2022-shin, pas rënies që pësoi gjatë pandemisë. Të dhënat e fundit të INSTAT-it bënë të ditur se më 2022-shin, aktiviteti i pijeve dhe shërbimit ushqimor regjistroi të ardhura prej 69 miliardë lekësh (rreth 650 milion euro), me një rritje të fortë prej 47% në krahasim me vitin e mëparshëm. Këto të ardhura, në fakt janë shpenzimet e klientëve vendas e të huaj për bare e restorante në vend.

Ky është niveli më i lartë i të ardhurave të regjistruara ndonjëherë. Rritja e çmimeve në bare e restorante është një nga arsyet që ndikoi. Sipas INSTAT-it, në vitin 2022, çmimet në bare e restorante shënuan rritjen më të lartë në 15 vjet. Ndonëse me ritme të ngadalësuara, tendenca vazhdoi edhe vitin e kaluar.

Ndërsa emigracioni i popullsisë, sidomos i të rinjve, ka ndikuar në frekuentimin e bareve nga vendasit, këta janë kompensuar nga turistët. Të dhënat e INSTAT-it treguan se në vitin 2022, vendin e vizituan mbi 7 milion shtetas të huaj e më 2023-shin, shifra arriti në 10 milion. Ndonëse të huajt që vijnë në Shqipëri, përgjithësisht janë me çanta shpine e që konsumojnë pak, sërish ata i gjen rëndom në bare e restorante në zonat kryesore turistike të vendit e në kryeqytet.

Numri i bareve u rrit për herë të parë që nga 2016-ta

Biznesi i bareve e restoranteve arriti kulmin në vitin 2016, kur numri i tyre arriti në gati 19 mijë. Më pas u shënua një rënie e vazhdueshme, në linjë me ciklin e ri të emigracionit, që uli frekuentimin e tyre, por edhe me krijimin e linjave më të mëdha të bareve që konkurruan kafenetë e vogla. Në vitin 2021, numri i bareve e restoranteve zbriti në 14.7 mijë, niveli më i ulët që nga 2013-ta. Por, më 2022-shin u shënua dhe një rritje e numrit të bareve e restoranteve, për herë të parë që nga 2016-ta. Numri i tyre u rrit me 4%, duke arritur në 15.3 mijë, nga 113 mijë që është totali i ndërmarrjeve në vend.

Rekord në Europë

Përgjithesisht, baret e restorantet në shtetet e Europës janë të përqendruara në rrugicat e zonave turistike. Në asnjë vend të Europës nuk gjen kaq shumë bare e restorante në çdo lagje apo rrugë sa te ne. Numri i lartë i kafeneve që ka Shqipëria reflektohet dhe në krahasimin e strukturës së bizneseve në Europë.

Të dhënat e Eurostat-it, të përpunuara nga Monitor tregojnë se mesatarisht vetëm 4.8% e totalit të bizneseve ushtrojnë aktivitetin e pijeve e shërbimit ushqimor. Të dhënat janë për vitin 2022. Sipas INSTAT-it, në Shqipëri aktivitetet e pijeve e shërbimit ushqimor zënë 13.5% të totalit, shifra më e lartë në Europë.

Pas Shqipërisë, renditet Bosnjë-Hercegovina, me 11.3%, e ndjekur nga Zvicra me 8.9%, Greqia 8.5%, Serbia 8.4%. Spanja dhe Italia që janë dy shtetet ndër më turistike të Europës, përkatësisht kanë 7.8 dhe 5.9% të bizneseve të përqendruara në aktivitetin e pijeve e shërbimit ushqimor. Shtetet që u kushtojnë më pak “vëmendje” biznesit të kafeneve janë Norvegjia (2.2%), Polonia (2.2%), Estonia (2.1%)./Monitor