Aktualitet

DASH: Ardian Dvorani, kampion në luftën kundër korrupsionit!

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson ish kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvoranin, si “kampion në luftën kundër korrupsionit” në vendin tonë. Dvorani është vlerësuar lart nga administrata e presidentit Biden si një person që ka luftuar fort për transparencë, kundër korrupsionit dhe me përgjegjshmëri të lartë në Shqipëri. Kujtojmë se Dvorani gjatë kohës kur ishte në krye të KED-së është akuzuar nga Presidenti Meta si vegël në duart e qeverisë për të kapur Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Ardian Dvorani vlerësohej si për luftën kundër korrupsionit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se, “ky vlerësim është një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që luftojnë për reformën në drejtësi në këtë fazë kacafytjeje me të Keqen”.

Nuk vonoi dhe reagimi i Presidencës, në lidhje me këtë zhvillim. Në një shkrim në rrjetet sociale, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi e ka cilësuar kryeministrin si “faqezi” duke shtuar se: “Ramaforma do të ngordhë më 25 prill me 3 milionë shpulla dhe shkelma të shqiptarëve!”