Design Film & Tv

Del në shitje shtëpia e “Sex Education”!

Më 21 shtator u publikua sezoni i katërt dhe i fundit i serialit “Sex Education”, i cili u bë menjëherë hit në Netflix. Sipas të dhënave të publikuara nga ajo platformë ‘streaming’, në një javë sezoni pati pak më shumë se 97 milionë orë shikime, pra 12 milionë përdorues kanë ndjekur sezonin e fundit. Sezoni i fundit përbëhet nga tetë episode. Ndërkaq, nëse edhe ju jeni adhurues i shtëpisë ikonike të serialit atëherë duhet ta dini se prona aktualisht është në shitje për 1.75 milionë euro.

“Sex Education”, zhvillohet në qytetin imagjinar të Moordale, por është filmuar kryesisht në Uells, në Mbretërinë e Bashkuar. Shtëpia e Otis dhe Jean ndodhet në Symonds Yat, një fshat në zemër të luginës Wye, Herefordshire. E ndërtuar fillimisht në 1912 si një shtëpizë peshkimi, Chalet Symonds Yat ka një dizajn tipik norvegjez. Rripat e kuqe të drurit që përbëjnë pjesën e jashtme, me detajet e lyera me të bardhë, bien në sy në sfondin e gjelbërimit të pandërprerë.

Qasja e vetme në pronë është përmes një rruge me pemë, në krye të së cilës ndodhet një Kishëz e lashtë, gjithashtu për shitje. Kur shtëpia u ble nga pronari aktual në vitin 2002, futbollisti uellsian Stuart Morgan, pati nevojë për një rinovim të gjerë, me një kuzhinë të re dhe një kopësht dimëror me sallë ngrënieje.

Dyert e mëdha franceze të çojnë nga veranda në ballkon, ku jo vetëm ka një vaskë suedeze të nxehtë dhe furrë picash prej guri, por edhe pamje mahnitëse të zonës natyrore të Wye Gorge dhe lumit Wye.  Dy katet e fundit të shtëpisë kanë pesë dhoma gjumi, me dhomën kryesore të gjumit të vendosur në krye të shtëpisë dhe që zë të gjithë katin. Vitet e fundit, prona ishte përdorur si shtëpi pushimi nga fansat e “Sex Education”. Megjithatë, pronari i saj tani ka vendosur ta nxjerrë në shitje.