Aktualitet

Dy të arrestuar pas parandalimit të atentatit në Elbasan!

Në Elbasan, dy persona me precedentë të mëparshëm penalë ranë në prangat e policisë si posedues të makinës tip “BMW X6”, ku dhe u gjet një arsenal armësh zjarri, me të cilin do të kryenin një atentat. Nga uniformat blu, automjeti u zbulua i braktisur një ditë më parë në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-Konservimi” në Elbasan. Dy personat e lanë dhe u larguan për t’iu fshehur efektivëve që ndodheshin në terren për kontroll.

Njoftimi i Policisë:

Si posedues të arsenalit u vunë në pranga A. S., 53 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe A. P., 44 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në brendësi të mjetit u gjetën tre kallashnikovë e një pistoletë, si edhe dy bidona me benzinë. Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash pranë makinës së braktisur u gjet edhe një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.

Policia bëri të ditur se “municioni do të përdorej nga autorët për kryerjen e një atentati”. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shënjestrës së këtij atentati që mbeti në tentativë.