Tech

Hakerët pretendojnë se kanë vjedhur 740 GB të dhëna nga Viber!

Hakerët pro-palestinezë që e quajnë veten “Handala Hack” pretendojnë se kanë hakuar 740 GB të dhëna nga aplikacioni i mesazheve Viber, duke përfshirë kodin burimor. Viber mohon shkeljen, por po heton ndërsa përdoruesit këshillohen të ndryshojnë fjalëkalimet. Aplikacioni i mesazheve po përballet me sulm të mundshëm të të dhënave, pasi një grup i hakërreve pro-palestinez, Handala Hack, mori përgjegjësinë për sulmin në serverët e tij dhe vjedhjen e një sasie të dhënash.

Në postimin e tyre në Telegram, Handala Hack pretendon se vodhi mbi 740 GB të dhëna, duke përfshirë kodin burimor të Viber. Grupi kërkon një shpërblim prej 8 Bitcoin, ose 583 mijë dollarë, për informacionin e vjedhur. “A e keni parë më parë panelin e menaxhimit të Viber Messenger? A mund të imagjinoni gjigantët e teknologjisë të lidhur me regjimin pushtues, çfarë informacioni të qytetarëve ruajnë”,-thuhet në postimin e këtij grupi.

Viber, një aplikacion mesazhesh i prezantuar në vitin 2010 dhe i blerë nga firma japoneze Rakuten në 2014 për 900 milionë dollarë, i është përgjigjur pretendimeve të hakerëve. Kompania ka mohuar çdo provë për ndërhyrje në sistemet e saj, por ka konfirmuar se tashmë ka nisur një hetim për të verifikuar nëse ka ndodhur një shkelje e sigurisë. Gjatë vitit të kaluar, Viber ka prezantuar një sërë produktesh dhe shërbimesh inovative që plotësojnë nevojat e përdoruesve të saj.

Një nga shërbimet është Viber Plus, i cili ka debutuar si ofertë premium e kompanisë, duke u ofruar përdoruesve veçori të përmirësuara dhe opsione personalizimi. Viber së fundmi ka prezantuar një përditësim krejt të ri të një veçorie të rëndësishme; folderët e personalizuar të bisedave. E krijuar në mënyrë specifike për ta bërë më të lehtë gjetjen e bisedave, kjo veçori po shpërndahet gradualisht te përdoruesit e mbarë globit. Fillimisht, përdoruesit e Viber do të jenë në gjendje të krijojnë deri në pesë folderë të personalizuar. Këta pesë folderë mund të jenë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe mund të përmbajnë biseda me miqtë, familjen dhe kolegët.