Tech

Viber prezanton funksionin e ri me inteligjencë artificiale!

Viber ka prezantuar një tjetër mjet të fuqizuar nga Al që do t’ua bëjë përdoruesve më të lehtë menaxhimin e mesazheve të palexuara në grup. Funksioni i ri e bën të mundur përmbledhjen e mesazheve të palexuara si dhe nxjerrjen e pjesëve më të rëndësishme të një bisede në formë të shkurtër.

Bëhet e ditur se fillimisht kjo veçori do të jetë e disponueshme vetëm për bisedat në grup, por mund të zgjerohet në të ardhmen. I krijuar posaçërisht për të përmbushur nevojat e përdoruesve të tij, përmbledhësi me Al është në gjendje të mbledh informacione thelbësore deri në 100 mesazhe.

Për ta aktizivuar mjetin e ri me Al, përdoruesit e Viber duhet të hyjnë në bisedë të një grupi dhe të pranojnë të marrin përmbledhjen e mesazheve që nuk i kanë lexuar. Sipas aplikacionit, kjo veçori po përhapet gradualisht në SHBA, Filipine, Ukrainë, Japoni, Bullgari dhe Poloni, me më shumë vende që do të pasojnë së shpejti. Përmbledhësi me Al mbështet platformat iOS dhe Android dhe kupton më shumë se 50 gjuhë.

Lideri global për mesazhe dhe komunikim zanor, Rakuten Viber e mbylli vitin 2023 me një sërë funksionesh të reja, të cilat forcojnë përkushtimin ndaj shërbimit të klientëve. Gjatë vitit të kaluar, Viber ka prezantuar një sërë produktesh dhe shërbimesh inovative që plotësojnë nevojat e përdoruesve të saj. Një nga shërbimet është Viber Plus, i cili ka debutuar si ofertë premium e kompanisë, duke u ofruar përdoruesve veçori të përmirësuara dhe opsione personalizimi.

Viber së fundmi ka prezantuar një përditësim krejt të ri të një veçorie të rëndësishme; folderët e personalizuar të bisedave. E krijuar në mënyrë specifike për ta bërë më të lehtë gjetjen e bisedave, kjo veçori po shpërndahet gradualisht te përdoruesit e mbarë globit. Fillimisht, përdoruesit e Viber do të jenë në gjendje të krijojnë deri në pesë folderë të personalizuar. Këta pesë folderë mund të jenë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe mund të përmbajnë biseda me miqtë, familjen dhe kolegët.