Tech

Rreziqet në teknologjinë cloud, pjesë e hetimit kibernetik në SHBA!

Një panel këshillues i sigurisë kibernetike në SHBA do të hetojë rreziqet në teknologjinë cloud, i cili do të përfshijë edhe hetimin e rolit të Microsoft në sulmin e fundit në sistemet e postës elektronike, i cili dyshohet të jetë kryer nga hakerët kinez. Bordi i Rishikimit të Sigurisë Kibernetike (CSRB) do të fokusohet në rreziqet për infrastrukturën e teknologjisë cloud, duke përfshirë menaxhimin e identitetit dhe vërtetimit dhe do të shikojë të gjithë ofruesit përkatës të shërbimeve cloud.

Microsoft ka qenë nën kontroll pas zbulimeve se hakerët që dyshohet se operonin në emër të Pekinit morën një nga çelësat e tij kriptografikë dhe përfituan nga një defekt kodimi për të fituar qasje gjithëpërfshirëse në platformën e emailit cloud të kompanisë. Kjo qasje u përdor për të spiunuar komunikimet e Gina Raimondo, sekretares amerikane për tregti e gjithashtu edhe të diplomatëve të lartë të Departamentit të Shtetit. Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve javën e kaluar tha se do hapte një hetim për përfshirjen e dyshuar të Kinës në shkeljet e fundit të sistemeve të postës elektronike të Komisionit të Tregtisë dhe të Departamentit të Shtetit.