Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Harta dhe territori”, një roman aspak i zakontë mbi njohjen e vetes dhe botës që na rrethon!

“Harta dhe territori” është një libër për rravgitjen krijuese, për dëshpërimin e njohjes së vetvetes dhe botës që të rrethon. Padyshim një nga romanet me inteligjentë të këtij të ‘sëmuri nga letrat’, këtij shkrimtari të pazakontë, Michel Houellebecq. “Harta dhe territori” është quajtur romani më francez i Houellebecq-ut për shkak të referencave të shumta që ka nga bota franceze.

Zhed Martini, një fotograf francez që jeton në provincë, e shkon jetën prej artist të rëndomtë duke fotografuar, veçmas harta Michelin. Por krahas kësaj, ia kushton pasionin e tij edhe pikturës, më së shumti portreteve të njerëzve në punë e sipër.

Në këtë rutinë, do të takojë edhe shkrimtarin Michel Houellebecq për t’i bërë portretin, por njohja me të do t’ia ndryshojë edhe ritmin e jetës që deri tani ka qenë fare i qetë: marrëdhënia me të dashurën, një ruse bukuroshe kjo, dhe takimet me të atin një herë në vit. Qetësia do të prishet pas vrasjes sadiste të shkrimtarit Michel Houellebecq. Zhedit do t’i duhet të ndihmojë policinë në zbulimin e një krimi të urryer, njëherësh duke kaluar edhe vetë nëpër një proces shndërrimi në një nivel të epërm të artit të tij.

Michel Houellebecq, duke qenë vetë autor dhe personazh në këtë roman, padyshim që i ka dhënë shumë nga natyra e tij prej shkrimtari të jashtëzakonshëm këtyre dy burrave, dy gjysma të ndara të alter egos së tij. Ky është një nga romanet më të rëndësishëm të Michel Houellebecq, një kryevepër për dashurinë, miqësinë dhe marrëdhënien babë e bir; fitues i Çmimit Goncourt në vitin 2010.