Aktualitet

I dha vulën e PD-së Berishës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra gjyqtarin Agron Zhukri!

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar këtë të premte gjyqtarin e Tiranës, Agron Zhukri, pasi ka rezultuar me probleme në kriterin e pasurisë.

Emri i Zhukrit u lakua në pranverën e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën, duke ia njohur atë Rithemelimit të Sali Berishës.

Vetë Zhukri nuk ishte i pranishëm në seancën e kësaj të premteje, por u përfaqësua nga djali i tij avokat.

Procesi i Vettingut për gjyqtarin Zhukri u krye nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen.

Në seancën e dëgjimore që u mbjat më 17 prill Zhukri u ballafaqua me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha. Komisioni konstatoi pamundësi financiare të familjes së gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri për krijimin e pasurive në masën e 93 milionë lekëve. Seanca dëgjimore zgjati rreth 5 orë e gjysmë. Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar një pamundësi në shumën 21 milionë lekë për periudhën para vitit 2003 dhe 72 milionë lekë për vitet në vijim.

Gjithashu u rrëzua kërkesa e gjyqtarit të Tiranës për hapjen e hetimit për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit, atë të figurës dhe profesionalizmit.

“Trupi gjykues vlerësoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur që të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit lidhur me kriterin e pasurisë dhe për pasojë vendosi mospranimin e kërkesës së subjektit për çeljen e hetimit administrativ edhe për kriterin e figurës e atë profesional.

Në përfundim të këtij procesi trupi gjykues, vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, zotin Agron Zukri. Vendimi mund të apelohet pranë KPA nga subjekti i rivlerësimit 15 ditë nga data e njoftimit të tij”, u tha në vendimin e KPK.