Bota

Karteli meksikan terrorizon qytetin përmes kërcënimit për internetin!

Një mënyrë e pazakontë për të bërë biznes fitimprurës është gjetur nga një kartel në shtetin meksikan të Michoacán, të cilët detyruan me forcë qytetarët të përdornin shërbimin WiFi që fillimisht e ofruan falas. Pasi montuan antenat e tyre të improvizuara, djemtë e kartelit “Los Viagras” u thanë rreth 5000 banorëve vendas se duhej të paguanin nga 400 deri në 500 pesos (21 deri në 26 euro) në muaj për të përdorur shërbimin WiFi ose do t’i vrisnin.

Narko-antenat e kartelit u ngritën në disa qytete dhe u ndërtuan me pajisje të vjedhura, por grupi arriti të fitonte më shumë se 100,000 euro në muaj. Vendasit u terrorizuan për të lidhur këto kontrata tepër të shtrenjta duke u kërcënuar me armën mbi kokë, por autoritetet meksikane nuk kanë regjistruar ndonjë vdekje të tillë.

Kartelet meksikane kanë përdorur prej kohësh një rrjet radio kullash dhe internet të improvizuar, ndërsa hetuesit thonë se grupet kriminale po bëhen de facto monopole shërbimi. Madje në disa rajone ato vendosin edhe taksa për ushqimet kryesore dhe produktet e importuara, ndërkohë që kanë depërtuar në tregun fitimprurës të avokados.