Bota Botë e Çuditshme

Kenia, rinocerontët specie në rrezik zhdukjeje!

Rinocerontët në Kenia rrezikojnë të zhduken, ndaj për sigurinë e tyre u desh angazhimi i strukturave shtetërore dhe organizatave për mbrojtjen e kafshëve. Zhvendosja në habitate të favorshme, ishte një procedurë që zgjodhën ekspertët, e për të cilën u deshën 3 javë për ta realizuar.

Vendbanimet e rinocerontëve të zinj në Kenia kishin filluar të dëmtoheshin dhe të zvogëloheshin, ndaj lindi nevoja urgjente për zhvendosjen e tyre. Mediat vendase thonë se kjo kafshë pothuajse u zhduk nga vendi në vitet 1980, kur numri i rinocerontëve u pakësua nga 20 000, në vetëm 300, kjo për shkak të gjuetisë së paligjshme, e cila kishte dalë jashtë kontrollit.

Në Kenia tani ka pak më shumë se 1000 nga këto kafshë dhe qeveria shpreson ta rrisë numrin në 2000 deri në vitin 2037. Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës i ka renditur rinocerontët si specie të rrezikuara në mënyrë kritike. Sipas shifrave zyrtare, deri në vitin 2022, në të gjithë kontinentin kishte pothuajse 6500, numër i cili lidhet me problemet e habitateve dhe me gjuetinë pa leje. Mijëra janë vrarë për shkak të kërkesave të larta për bririn e tyre, i cili duket se u sjell mjaft të ardhura gjuetarëve të paligjshëm.