Aktualitet

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, opozita propozon Mateo Spahon!

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot vendimin për të futur në rendin e ditës edhe kandidaturën e Mateo Spahos, propozuar nga Partia Demokratike, në Këshillin e Bankës Qendrore.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj bëri të ditur se “kandidatura e Spahos mbështetet nga Partia Demokratike” dhe se e ka dorëzuar prej ditës së djeshme kërkesën me të gjitha ekstremitetet”. Alibeaj i kërkoi maxhorancës të pranojë kandidaturën e opozitës, si një traditë për ruajtjen e balancës së përfaqësimit të forcave politike.

Ndërkohë, deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se “Spaho ka kaluar seancën e dëgjesës në Komisionin e Ekonomisë”. PD i ka bërë thirrje të përsëritur Komisionit, të mos prezantonte dy propozimet e mbështetura nga firmat e maxhorancës. Tabaku vuri në dukje se opozita nuk ka përfaqësues të saj as në Bordin e Autoritetit të Konkurrencës dhe as në Bordin e Mbikëqyrjes Financiare.

Në Bankën e Shqipërisë, vetëm Ridvan Bode është përfaqësues i propozuar nga opozita. Në këtë bord, opozita gjithmonë ka pasur dy përfaqësues.

Kryetari i grupit socialist, Taulant Balla dha dakordësi për zhvillimin e seancës dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë dhe më pas hedhjen për votim të kandidaturës në seancë. Balla tha se “ndryshe nga sa pretendon opozita, në Bordin e Këshillit së Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë janë dy përfaqësues të opozitës, Ridvan Bode e Suela Pollo”.

Mos të hyjmë të diskutojmë për Boden, me të cilin unë kam bërë shumë debate e interpelanca gjatë kohës kur ishim në opozitë. Në Këshillin Mbikëqyrës është miratuar edhe një kandidaturë nga një parti tjetër e opozitës, Suela Pollo. Shprehim dakordësi që të mblidhet Komisioni i Ekonomisë, të bëhet seanca dëgjimore e të përfshihet në rendin e ditës. Kjo zgjidhje vjen duke komunikuar. Kur PS ka qenë në opozitë nuk ka pasur dy kandidatura. Nuk ka për të bërë kjo shumicë atë që keni bërë ju kur qëndruat në shumicë. Kjo shumicë nuk prish kurrë ato balanca.

Pas diskutimeve të palëve, Kuvendi miratoi projektvendimin për futjen si një pikë fundore në rendin e ditës. Gjatë ditës së djeshme Komisioni i Ekonomisë i kaloi seancës plenare për votim emrat e Anastas Angjelit dhe Natasha Ahmetajt.